Sulmet kibernetike nga Irani, Rama: Vendosëm mos t’i kërkojmë NATO-s zbatimin e Nenit 5

Një artikull i “Politico.com” zbulon për herë të parë se Qeveria Shqiptare po konsideronte mundësinë që t’i kërkonte NATO-s zbatimin e Nenit 5 të aleancës si kundërpërgjigje ndaj sulmeve kibernetike të Iranit.

Neni 5 i NATO-s do të çonte direkt në konfrontim vendet anëtare të aleancës me Iranin, për shkak se ky shtet kishte sulmuar kibernetikisht një vend të NATO-s.

Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një prononcim për “Politico”, zbulon se Shqipëria vendosi të mos e kërkonte zbatimin e këtij neni.

“Në fund, Shqipëria vendosi të mos e ndërmerrte atë veprim, që do të rrezikonte përshkallëzimin dhe të fuste në antagonizëm aleatët e fuqishëm”, tha Kryeministri Rama.

“Kam shumë respekt për miqtë dhe aleatët tanë për t’u thënë atyre se çfarë duhet të bëjnë. Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm që të jemi shumë të përulur në vlerësimet tona”, theksoi ai.

Sulmet kibernetike të Iranit, Rama i konsideron si bombardim. Këto sulme, shtoi ai, bllokuan pothuajse të gjitha shërbimet qeveritare të Shqipërisë duke shkaktuar një ngërç.

“Është si të bombardosh një vend. Nëntëdhjetë e pesë për qind e shërbimeve qeveritare të Shqipërisë ofrohen në internet, që do të thotë se operacionet e përditshme ndërpriten në zyrat qeveritare në të gjithë vendin. Hakerët gjithashtu u përpoqën të fshinin të dhënat e ndjeshme të qeverisë, por nuk ishin të suksesshëm. Ishte e tepërt për ne të mendojmë dhe të arrijmë në vendimin se duhet t’i kërkojmë NATO-s të nxisë zbatimin e Nenit 5”, deklaroi Kryeministri Edi Rama për “Politico.com”.

Në këtë artikull, “Politico” shkruan se Neni 5 i NATO-s është vënë në veprim vetëm një herë, disa ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në SHBA dhe pasojat nuk janë përcaktuar plotësisht për një sulm kibernetik. Vendet anëtare të NATO-s duhet t’i vijnë në ndihmë vendit që kërkon zbatimin e Nenit 5, por secili vend anëtar mund të përcaktojë masën e përgjigjes së tyre.

Si kundërpërgjigje për sulmet kibernetike, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi nga vendi të gjithë stafin diplomatik iranian që qëndronte në Tiranë. /tvklan.al/