Sulmet e fundit, Zelensky: Partnerët të mos heshtin, rusët po shkatërrojnë jetë me raketa balistike

Presidenti ukrainas, Volidymyr Zelensky ka reaguar pas sulmeve të fuqishme të kryera nga Rusia në Kiev, duke lënë dhjetëra të vdekur e të plagosur, si dhe shumë objekte të shkatërruara.

Zelensky ka bërë bilancin e dëmeve, duke thënë se deri më tash janë konfirmuar 15 të vrarë.

“Në total, 30 ndërtesa banimi, një shkollë e zakonshme, një spital për fëmijë dhe një kopsht fëmijësh u dëmtuan vetëm në Kiev dhe në rajon”, ka shkruar ai në rrjete sociale.

Zelensky ka thënë se ky ishte një sulm cinik dhe i shkallës së gjerë nga Rusia.

Ai edhe njëherë ka bërë thirrje që Ukraina të ndihmohet me furnizimin e raketave të mbrojtjes ajërore.

“Nuk mund të shikosh thjeshtë në heshtje dhe indiferencë, duke mos bërë asgjë, ndërsa rusët shkatërrojnë jetë me raketa balistike. Luftëtarët ukrainas mund të veprojnë me aftësi të mëdha kur guximi dhe profesionalizmi i popullit tonë mbështeten nga mbështetja e duhur nga partnerët tanë.”, ka shkruar Zelensky.

Ai ka thënë se janë duke vazhduar përpjekjet për reagim ndaj emergjencave.