Suedia dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje historike për furnizimin me 100 aeroplanë luftarakë Gripen

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se kontrata e bashkëpunimit në zhvillimin e aftësive ajrore midis Ukrainës dhe Suedisë u nënshkrua sot dhe do të hapë rrugën për transferimin e rreth 100 aeroplanëve luftarakë Gripen.

Zelensky e tha këtë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në fabrikën e Saab, ku u zhvillua nënshkrimi, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

“Sot, siç e përmendi kryeministri, kemi filluar procesin që Ukraina të marrë aeroplanë Gripen. Presim që kontrata e ardhshme do të na lejojë të marrim të paktën 100 prej këtyre”, ka thënë Zelensky.

“E kuptojmë qartë se ky është një proces [i gjatë] dhe e kuptojmë qartë bazën financiare të nevojshme për të zbatuar këtë kontratë të rëndësishme. E diskutuam këtë me kryeministrin dhe me udhëheqjen e Saab. Jam mirënjohës ndaj Suedisë për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në këtë”, ka shtuar më tej Zelensky.

Siç ishte thënë më herët, Suedia dhe Ukraina më 22 tetor nënshkruan një letër qëllimi për një kontratë të ardhshme për blerjen e deri në 150 aeroplanëve luftarakë modernë Gripen E për të forcuar Forcën Ajrore Ukrainase.

Njoftimi u bë gjatë vizitës zyrtare të presidentit Zelensky në Suedi, pjesa e dytë e turneut të tij evropian pas vizitës së tij në Norvegji.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson u takua me Zelensky në qytetin e Linkoping – shtëpia e kompanisë së mbrojtjes Saab, prodhuesi i aeroplanëve luftarakë Gripen dhe armëve të tjera – ku ata nënshkruan një letër qëllimi për bashkëpunim afatgjatë në mbrojtje midis vendeve të tyre.

Saab JAS 39 Gripen është një aeroplan luftarak i lehtë që mund të përdoret si për detyra mbrojtëse ashtu edhe për ato sulmuese.

Kievi dhe Stokholmi kanë diskutuar vazhdimisht mundësinë e furnizimit për Forcën Ajrore të Ukrainës, e cila tashmë operon me aeroplanë perëndimorë, duke përfshirë Mirage 2000 dhe F-16.

Versioni Gripen E, të cilin Forca Ajrore Suedeze filloi ta përdorë vetëm në tetor, krenohet me një motor dhe radar më të fuqishëm.