Stuhia më e fuqishme në botë këtë vit po i afrohet Xhamajkës dhe po lëviz me shpejtësi në verilindje përmes Detit të Karaibeve, ka raportuar të hënën BBC-ja.
Të paktën tre persona kanë vdekur gjatë afrimit të stuhisë në Xhamajkë, ndërsa raportohet edhe për katër të tjerë në vende të tjera në Karaibe, si Haiti dhe Republika Dominikane.
Meteorologët amerikanë kanë paralajmëruar për kushte “katastrofike dhe kërcënuese për jetën”.
Uragani Melissa, i cili pritet të arrijë në tokë të martën me shpejtësi ere deri në 282 km/h, është stuhi e kategorisë së pesë – fuqia maksimale.
Ekspertët paralajmërojnë se ritmi i ngadaltë i uraganit mund të sjellë shira të rrëmbyeshëm të zgjatur në disa zona, duke rritur rrezikun e përmbytjeve vdekjeprurëse dhe rrëshqitjeve të dheut.
Për Haitin, kushtet e stuhive tropikale do të fillojnë gjithashtu gjatë së hënës.




