Studimet e doktoratës – element kyç i universitetit të kompletuar

Prof. Dr. Afet Mamuti

Hartimi i një ligji të ri për arsimin e lartë paraqet një mundësi strategjike për reformimin dhe modernizimin e sistemit universitar në vend. Megjithatë, propozim-ligji aktual, i cili ndodhet në procedurë, ka ngjallur debate dhe shqetësime në komunitetin akademik, duke theksuar nevojën për rishikim të thelluar të disa prej dispozitave të tij.
Në parim, nisma për hartimin e një ligji të ri është e mirëseardhur, sidomos duke pasur parasysh se sistemi aktual, në disa aspekte, lë mjaft për të dëshiruar. Universiteti i Tetovës e përshëndeti në parim nismën për sjelljen e një ligji të tillë, duke e konsideruar atë një mundësi për të përmirësuar cilësinë e arsimit, rregullimin e qartë të funksionimit të universiteteve dhe zhvillimin e kapaciteteve kërkimore.
Në vazhdën e debateve dhe reagimeve nga sfera akademike, shihet qartë se Propozim-Ligji ka nevojë për korrigjime substanciale, me qëllim të arritjes së objektivit për të cilin synohet.
Disa nga vërejtjet kryesore ndaj tekstit të ligjit të propozuar janë:
– Cenimi i autonomisë së universiteteve (nenet 198-201)
– Kriteret tepër rigoroze gati të pamundura, veçanërisht për drejtime të caktuara për marrje të thirrjeve akademike (neni 161).
– Pamundësia e organizimit të studimeve të doktoratës (neni 124)
Përcaktimi i “h-indeksit minimal” mund të konsiderohet problematik, pasi nuk pasqyron domosdoshmërisht cilësinë reale të punës shkencore, por më shumë një matje statistikore të ndikimit. Për pasojë, përdorimi i këtij kriteri mund të favorizojë disiplina të caktuara dhe të penalizojë disa disiplina tjera shkencore.
Nenet 198-201 që lidhen me mbikëqyrjen mbi punën e institucioneve të arsimit të lartë, i japin ministrit kompetenca të gjera për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe akteve të universitetit, për të ndërhyrë në vendimet e brendshme të institucioneve, për të pezulluar aktet e përgjithshme dhe madje për të anuluar diploma të lëshuara nga universitetet. Një strukturë e tillë e mbikëqyrjes mund të kufizojë lirinë akademike dhe kapacitetin e universiteteve për të menaxhuar pavarësisht programet dhe vendimet e tyre, duke rrezikuar parimin themelor të autonomisë universitare.
Vërejtja kryesore ndaj propozim-ligjit për arsimin e lartë lidhet me përcaktimin e kritereve jashtëzakonisht të rrepta dhe të vështira për t’u përmbushur për organizimin e ciklit të tretë të studimeve (doktoratës).
Përcaktimi që “vetëm katër universitet e ranguara në nivel shteti dhe që janë pjesëmarrës në mbi 50 projekte ndërkombëtare kërkimore gjatë pesë viteve të fundit dhe që personeli akademik të ketë publikuar të paktën 500 punime shkencore në revista me faktor impakti” të jenë të kualifikuara për të ofruar doktoratë është vendim i padrejtë dhe tendencioz, meqë krijon një barrierë të panevojshme për universitetet dhe kufizon autonominë akademike.
Në rastin konkret propozuesi nuk shpjegon se mbi bazën e cilave kritere janë përcaktuar numrat 4, 50 apo 500?! Këta kritere kufizuese nuk i justifikon me asnjë analizë empirike, standard ndërkombëtar ose nevojë objektive të sistemit. Si rregull, në çdo universitet kriteret për organizimin e doktoratës duhet të varen nga kapaciteti kërkimor, stafi i kualifikuar dhe cilësia e programeve e jo nga standarde numerike restriktive.
Pastaj, mund të ndodh që brenda një universiteti të ketë një program studimor me staf shumë të kualifikuar dhe me kapacitet kërkimor, por i njëjti të mos mund të organizojë studime të doktoratës për shkak të mos plotësimit të kritereve ligjore nga Universiteti. Si të tilla, masat e propozuara janë potencialisht penguese për zhvillimin e arsimit të lartë në vend dhe një kufizim i tillë krijon monopol de facto, pengon konkurrencën akademike dhe bie ndesh me parimin e barazisë ndërmjet Universiteteve.
Kriteret e tilla paraqesin një qasje diskriminuese ndaj universiteteve shqiptare në përgjithësi dhe ndaj Universitetit të Tetovës në veçanti, duke rrezikuar vazhdimin e një politike të padrejtë institucionale, të ngjashme me atë të zbatimit të ligjit aktual, i cili, pavarësisht detyrimit për rangimin trevjeçar të universiteteve, që nga viti 2016 nuk është zbatuar asnjëherë.
Sistemi i arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut bazohet në modelin e Bolonjës, i cili përfaqëson një vazhdimësi të traditës Humboldtiane, duke ruajtur lidhjen thelbësore midis mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, si dhe nxitjen e autonomisë akademike të institucioneve.
Këtu nuk e kemi të ndarë stafin akademik në atë që është i fokusuar vetëm në pjesën e kërkimeve dhe pjesa tjetër që merret vetëm me mësimdhënie (research track vs teaching track), siç e kanë një pjesë e universiteteve në sistemin anglo sakson. Sipas sistemit Humboldtian mësimdhënia dhe kërkimi janë në unison dhe profesori nuk duhet vetëm të transmetojë dije ekzistuese, por të jetë aktiv në kërkim shkencor. Prandaj për ta përmbushur në tërësi misionin e vet universiteti duhet me patjetër të ketë të organizuar studime të doktoratës, përmes të cilës realizohet forma më e lartë e kërkimit të pavarur, sigurohet vazhdimësia e shkencës dhe forcohet lidhja ndërmjet kërkimit shkencor dhe mësimdhënies.
Universiteti pa doktoratë humb dimensionin e tij kërkimor dhe shndërrohet në një institucion të thjeshtë mësimor, duke mos e përmbushur misionin e universitetit në kuptimin e plotë akademik!

Prof. Dr. Afet Mamuti – Autori është profesor në Universitetin e Tetovës