Në Kinë ndodhen rreth 400 shqiptarë, mes tyre 60 studentë dhe të tjerët që mendohet se punojnë në vendin më të madh aziatik. Këtë e konfirmon për Top Channel Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa thekson se deri më tani nuk ka asnjë shqiptar të prekur nga virusi vdekjeprurës që ka alarmuar jo vetëm Kinën, por mbarë botën.
Ndërkohë, një studente shqiptare apelon për ndihmë përmes Top Channel dhe kërkon që të kthehet në Shqipëri sa më parë, pasi thotë se e ka të pamundur financiarisht. Josilda Ndreaj njëra nga dy studentet shqiptare cila studion në Wuhan epiqendrën e koronavirusit vdekjeprurës, përmes Top Channel apelon për ndihmë për tu kthyer në Shqipëri.
“Dua të iki sa më shpejt nga këtu. Situata sa vjen e po përkeqësohet. Vetë e kam të pamundur financiarisht të lëviz. Dua të kthehem në Shqipëri. Do ti jem mirënjohës qeverisë shqiptare apo gjithkujt që do të mund të më ndihmoj në këto momente të vështira ku gjendem”, ka thënë ajo në një intervistë për Top Channel.
Josilda, që studion master në Pronësi Intelektuale, tha po ashtu se për të ky është viti i saj i parë në Wuhan dhe shton se ka një pasiguri të madhe por po përpiqet të ruaj qetësinë dhe të vëzhgoj situatën. /Top Channel/