Studentja i dha ryshfet profesorit për të ndikuar te kryetari i komisionit të provimit, që të kalonte provimin profesional

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër tre personave, të dyshuar për veprat penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe “marrje ryshfeti”.
E para e kallëzuar është një 27-vjeçare nga Bitola, studente e Fakultetit Stomatologjik; i dyti i kallëzuar është një 56-vjeçar profesor nga Gostivari dhe ish-nënkryetar i Odës Stomatologjike; ndërsa i treti i kallëzuar është një 63-vjeçar nga Shkupi, kryetar i Komisionit për dhënien e provimit profesional për punonjës shëndetësorë nga fusha e stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas MPB-së, studentja në dhjetor 2025, pas komunikimit paraprak përmes aplikacionit “Viber”, i transferoi mjete monetare profesorit me qëllim që ai të ndikonte te kryetari i komisionit të provimit. Si rezultat i kësaj, ajo e kaloi provimin profesional më 17 dhjetor 2025 dhe mori certifikatën, edhe pse, sipas dyshimeve, nuk e kishte njohurinë e nevojshme.

Në kuadër të hetimeve, oficerët e policisë kryen kontrolle te i dyti dhe i treti i kallëzuar, ku u gjetën dhe u sekuestruan 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.

Hetimi për rastin vazhdon nën udhëheqjen e prokurorisë kompetente.