Studentët refuzuan dialogun me Ramën, Salianji e ironizon: Ka mbetur vetëm me veten dhe karriget bosh! Koha e tij ka mbaruar, ka ardhur ajo e llogaridhënies! Të japë dorëheqjen

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pasi studentët refuzuan dialogun me të dhe hoqën karriget që ai kishte vendosur më herët përpara godinës së Kryeministrisë.

Në një reagim në rrjete sociale, ai theksoi se kryeministri ka mbetur vetëm dhe se duhet t’i japë fund marifeteve të tij të vjetra për të përçarë shoqërinë dhe për ta mbajtur pushtetin që ka me çdo kusht.

Ai thotë se Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse koha e tij ka mbaruar dhe tani ka ardhur koha për të dhënë llogari.

“Mbaroi koha e kërcënimeve. Mbaroi koha e Ramës! Koha e llogaridhënies ka ardhur. Jep dorëheqjen!“, thote ai.

REAGIMI I PLOTE:

I izoluar, i përbuzur, i neveritshëm për qytetarët. I mbetur të flasë vetëm me veten dhe karriget bosh. Të gjithë i rrinë larg, sikur të ishte lebroz.

Jep dorëheqjen! Mjaft me marifetet e vjetra, me hilet për të përçarë shoqërinë dhe për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.

Dje kërcënoje qytetarët me autokraci, me lista ndalimi për të dalë jashtë vendit. Por e vërteta është se ti je ai që nuk del dot as nga bunkeri i frikës, i rrethuar nga pushteti që të ka verbuar dhe nga arroganca që të ka izoluar.

I rrethuar nga populli! Ky nuk është më pushtet. Është vetmia e një njeriu që ka humbur kontaktin me realitetin dhe që mendon se frika mund ta mbajë përgjithmonë në pushtet.

Mbaroi koha e kërcënimeve. Mbaroi koha e Ramës! Koha e llogaridhënies ka ardhur. Jep dorëheqjen!