Studentët më të mirë në UT, pas diplomimit do të punësohen në MPB, u diskutua në takimin MPB-UT

Në hapësirat e Universitetit të Tetovës, u zhvillua takim ndërmjet përfaqësuesve të këtij universiteti dhe delegacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Në takim mori pjesë rektori Kushtrim Ahmeti dhe ministri Pançe Toshkovski, transmeton Portalb.mk.

“Në takimin me drejtuesit e Universitetit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me theks të veçantë në krijimin e mundësive që studentët më të mirë të programeve studimore për të cilat Ministria ka nevojë, pas përfundimit të arsimit, t’i vënë njohuritë dhe kapacitetet e tyre në funksion të institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve”, deklaruan nga MPB-ja.

Ministri Toshkovski e vizitoi edhe SPB Tetovë, duke theksuar se tre persona kanë humbur jetë gjatë tetë muajve sa është “Safe City”, ndërsa në periudhën e njëjtë para “Safë City” kanë humbur jetë nëntë persona.

“Në fokus të takimit ishte avancimi i bashkëpunimit institucional, me theks të veçantë në krijimin e mundësive profesionale dhe të punësimit për studentët e diplomuar në programin studimor Kriminalistikë”, njoftoi UT-ja, duke shtuar se “vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë që studentëve të diplomuar në Kriminalistikë t’u krijohen perspektiva konkrete për punësim dhe angazhim profesional në dikasteret përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.