Studentët e universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup vazhdojnë të mos kenë linja të rregullta dhe të qasshme drejt kampusit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndaj autoritetetve. Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup për Portalb.mk njoftoi se ende është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Ndërmarrja e Transportit Publik dhe Qytetit të Shkupi për hapjen e linjës së re të transportit publik, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e studentëve nga konvikti “Pellagonia” deri te kampusi universitar. Qyteti i Shkupit vazhdon të injorojë këtë kërkesë dhe pyetjet gazetareske, raporton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, universiteti ka dorëzuar disa kërkesa zyrtare, së bashku me dokumentacionin përkatës, në Ndërmarrjen e Transportit Publik (NTP), dhe Qytetin e Shkupit, duke përfshirë edhe kërkesën e fundit të dërguar pas zgjedhjeve parlamentare. Komunikimi me këto institucione, sipas universitetit, është zhvilluar rregullisht dhe në mënyrë konstruktive. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë asnjë vendim konkret.
“Universiteti mbetet plotësisht i përkushtuar që kjo çështje të mos mbetet pezull. Ne do të vazhdojmë insistimin dhe adresimin e rëndësisë së realizimit të kësaj linje të transportit publik, duke shpresuar që udhëheqësia e re institucionale do ta trajtojë me prioritet këtë kërkesë, e cila ka rëndësi të veçantë për studentët tanë. Ndërkohë, deri në marrjen e një vendimi final, Universiteti ka lidhur një bashkëpunim me Universitetin Ballkanik, me qëllim që studentët tanë të kenë mundësi të kalojnë përmes hapësirave të këtij universiteti, ku qarkullojnë linjat e autobusëve 9 dhe 20. Nga ana e tyre është kërkuar evidencimi i studentëve përmes kartelave të posaçme, të cilat janë aktualisht në proces administrativ”, thanë nga UNT.
Ditë më parë, më 26 nëntor, Portalb.mk bisedoi me kryetarin e Parlamentit Studentor të UNT-së, Omer Hebib, i cili tha se ndihet i zhgënjyer nga mosveprimi i autoriteteve të Qytetit të Shkupit ndaj kërkesave të studentëve për transport publik. Ai apeloi deri te udhëheqësia e qytetit ta marrë kërkesën e tyre në konsideratë dhe të sigurojë linjat e nevojshme të transportit.
“Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga studentët për sigurimin e lidhjeve të reja që do të lehtësonin lëvizjen drejt dhe nga kampusi universitar, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga autoritetet e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP)”, tha Hebibi.
Nga Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) më 26 nëntor theksuan se janë të informuar për kërkesën, por përgjegjësia për sigurimin e transportit publik për studentët nga Konvikti Shtetëror i Studentëve “Pellagonia” deri te Universiteti “Nënë Tereza” i takon Qytetit të Shkupit.
Ndërkaq, nga Qyteti i Shkupit nuk u përgjigjen për këtë çështje.
Kujtojmë se, në muajin nëntor 2024, nga rektorati i Universitetit “Nënë Tereza” për Portalb.mk theksuan se me transferimin e tyre në kampusin e ri kanë tentuar ta zgjidhin edhe problemin me transportin e studentëve, por institucionet përgjegjëse nuk i kanë dëgjuar.






