Studeniçan, mësimi zhvillohet me tre turne

Në shkollën fillore “Naim Frashëri” të fshatit Studeniçan mësimi po zhvillohet edhe mes ndërrimeve. Objekti shkollor është i pamjaftueshëm për të pranuar të gjithë nxënësit në dy ndërrime, andaj udhëheqësia e shkollës është detyruar të bëj kombinime të ndryshme për të sistemuar gjithë nxënësit. Siç tregon drejtori Idriz Shabani, të gjitha paralelet janë plotësuar me numër të nxënësve nga 25 deri në 30. Madje, një paralele e klasës së parë është formuar me 31 nxënës, edhe pse nuk e lejon Ligji i ri për arsim fillor.

Kemi edhe argumente që kemi dorëzuar deri te ministria e Arsimit kërkesa dhe nga ato kërkesa ende nuk kemi përgjigje pozitive. Për momentin na duhen katër klasa urgjente që të jemi më të sistemuar. Klasën e para gjashtë e kemi hapur me 31 nxënës, e kemi shkelur edhe ligjin. Shpresa e fundit është që prapë të trokasim në dyert e afaristëve, prapë të bëjmë lutje, të mbajmë mbledhje dhe prapë t’ia dalim kësaj problematike, zgjidhja me afaristët e komunës Studeniçan- deklaroi Idriz Shabani, drejtor i sh.f “Naim Frashëri”, Studeniçan.

Fatkeqësisht, problemet e shkollës nuk përmbyllen vetëm me numrin e mbingarkuar dhe mungesën e objektit. Shkolla ka nevojë edhe për kuadër shtesë. Lëndën e anglishtes dhe matematikës e ligjërojnë mësues që kanë tejkaluar fondin e plotë të orëve, madje duke realizuar edhe deri 26 orë mësim.

Lënda e matematikës është pak lëndë më e rëndë dhe kur marrim parasysh edhe numrin e madh të nxënësve është vështirë ti dalësh në fund. Të gjithë nxënësit ti kesh nën kontroll dhe nxënësin duhet gati çdo orë ta aktivizosh, ta pyesësh, mos ta lësh të jetë në gjumë ai. Jo vetëm unë po edhe në bisedë me këshilltarët ky numër I orëve është shumë I madhë…Problemi më i madh është se nxënësit na ngecin mbrapa me dituri sepse derisa unë lodhem nxënësit nuk e hetojnë atë, ne hetojmë sepse ne I kontrollojmë ata nxënës- tha Imer Bislimi, mësues i matematikës.

Nga Komuna e Studeniçanit kujtojnë Ministrinë e Arsimit se janë në pritje të pëlqimeve të reja financiare. Ndërkohë komuna ka ndarë nga buxheti i saj për tu siguruar rrogë mësimdhënësve të angazhuar.

Buxheti për arsimin fillor është prej bllok dotacioneve që vijnë prej Ministrisë së Arsimit dhe ai është numër që jepet sipas kokës së nxënësit, sa nxënës ka dhe ai është buxheti i njejtë nuk ndryshon, por tash duhet që prej buxhetit të njëjtë duhet të përdoret për rroga në vend se ato mjete të përdoren për investime dhe për rikonstruim të objekteve ekzistuese- pohoi Burhanedin Nuhiu, sekretar në Komunën e Studeniçanit.

Vetëm në shkollën qendrore “Naim Frashëri” mësojnë 1.282 nxënës ndërsa bashkë me ato periferike arrijnë 1.482 nxënës. Objekti i shkollës është ndërtuar në vitin 1950. Deri më sot i njëjti objekt është zgjeruar 6 herë për tu siguruar kapacitet të mjaftueshëm për nxënësit. Thuajse të gjiha rikonstruimet janë kryer me donacione të huaja dhe nga banorët e fshatit.