Projektligji për Prokurorinë Publike sonte merr “OK” në Qeveri

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë pritet të jepet dritë jeshile projektligjit për prokurorinë publike dhe i njëjti nesër të dorëzohet në Kuvend për procedura të mëtejme, në Komisionin për Çështje Evropiane dhe në seancë plenare. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev nuk konfirmoi nëse ka arritur pëlqimin e së paku 80 deputetëve për ta votuar këtë ligj, i cili duhet të kaloj me 2/3 e votave. Ai iu bëri thirrje të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe opozitaren VMRO DPMNE, që të marrin këtë vendim për t’i hapur rrugë reformave në sistemin e drejtësisë.

Edhe një herë i dërgoj ftesë të drejtpërdrejtë Hristijan Mickoski dhe iu bëj thirrje VMRO DPMNE-së që të marrin pjesë në këtë ligj sepse gjithçka që ata kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe bisedimesh dy-vjeçare tashmë është e përfshirë. Ne kemi një zgjidhje ligjore që do të ndihmojë patjetër vendin tonë në rrugën drejt BE-së, por patjetër që do t’i ndihmojë qytetarët tanë që të kenë një shtet ligjor, të cilin të gjithë e presim- deklaroi SINKRON – Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së .

Zëdhënësi i VMRO-së Dimçe Arsovski tha se kreu i LSDM-së Zaev po gënjen veten kur thotë se janë përmbushur të gjitha kërkesat e opozitës për miratimin e Ligjit të Prokurorisë Publike.

Lidhur me atë nëse e përkrahim Ligjin për Prokurori Publike, qëndrimi ynë është i njohur. Meqë Zaev nuk na pranoi vërejtjet dhe sugjerimet, sipas propozimit tonë të vetmit që për momentin duhet dhe mund ta formulojnë këtë ligj janë ekspertët. Nga kryetari ynë Mickoski iu propozua ekipi ekspertëve, kështu që tani e ka radhën të vendos Zoran Zaevi- tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Përderisa kreu i LSDM-së Zaev thotë se shpërndarja e Kuvendit mund të shtyhet nëse nuk përfundon debati për ligjin, kryeministri teknik Spasovski shprehet optimist.

Unë uroj që të gjitha partitë politike të përfshihen në ardhmërinë e këtij shteti, mbase kjo do të realizohet varet nga të gjitha partitë politike në Kuvend nëse ia duan të mirën këtij vendi. Por, sidoqoftë unë uroj që ta miratojmë Ligjin për Prokurori Publike, duke dhënë edhe një argument pozitiv se përse RMV duhet patjetër t’i filloj bisedimet për anëtarësim në BE- pohoiOliver Spasovski, Kryeministër i RMV-së.

Çelësi i arritjes së shumicës së 2/3 në Kuvend, është tek grupi i pavarur parlamentar nga ish-përbërja e VMRO DPMNE-së. Këta të fundit thanë se për vendimin e tyre për ligjin e prokurorisë do të prononcohen nesër. Zaev nga ana tjetër tha se në propozim ligj janë përfshirë edhe sugjerimet e Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe Lëvizjes Besa, duke përmendur edhe përdorimin e duhur të gjuhës shqipe.