Stubb: S’pritet të ketë armëpushim së shpejti në Ukrainë

Armëpushimi në Ukrainë është i pamundur para pranverës dhe aleatët evropianë duhet të vazhdojnë mbështetjen pavarësisht një skandali korrupsioni që ka përfshirë Kievin, ka thënë për Associated Press presidenti i Finlandës, Alexander Stubb

Ndërkohë, Evropa do të ketë nevojë për “sisu”, një shprehje finlandeze që do të thotë qëndresë, rezistencë dhe vendosmëri, për të kaluar muajt e dimrit, ka thënë ai, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj hibride dhe luftën e informacionit në të gjithë kontinentin.

Stubb ka thënë se ai gjithashtu ka nevojë për këtë cilësi si një nga bashkëbiseduesit kryesorë evropianë midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Si udhëheqës i një prej vendeve më të vogla të Evropës, por që ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë, ai është shumë i vetëdijshëm se çfarë po zhvillohet.

Në vitet 1940, pas dy luftërave me Rusinë, Finlanda ka humbur rreth 10% të territorit të saj ndaj Moskës dhe pranoi të bëhej ushtarakisht neutrale. Por humbjet e Finlandës ishin shumë më të vogla sesa mund të kishin qenë, pasi trupat finlandeze shfaqën “sisu” dhe i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë sovjetike, pavarësisht se ishin shumë më të pakta në numër.

Qëndrimi neutral i Finlandës u përmbys vetëm pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kur finlandezët iu bashkuan NATO-s.

Stubb shfrytëzon marrëdhënien e tij të mirë me Trumpin për të argumentuar çështjen në favor të Ukrainës.

“Mund t’i shpjegoj presidentit Trump se çfarë ka kaluar Finlanda ose si e shoh unë situatën në fushën e betejës, ose si merreni me Putinin? Dhe pastaj, e dini, nëse ai pranon një nga 10 ide, kjo është mirë”, ka thënë Stubb.

Stubb ka folur për AP-në të shtunën në një bazë ushtarake në veri të kryeqytetit Helsinki, ku vëzhgoi vullnetarët finlandezë të merrnin pjesë në trajnimin mbrojtës.

Stubb ka thënë se Zelensky duhet të merret shpejt me akuzat për ryshfete dhe përvetësim, duke thënë se skandali i shkon në favor Rusisë. Megjithatë, ai i ka nxitur udhëheqësit evropianë të shqyrtojnë rritjen e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin, i cili po përballet gjithashtu me përparime të ngadalta nga ana e Rusia në fushën e betejës.

“Nuk jam shumë optimist për arritjen e një armëpushimi ose fillimin e negociatave të paqes, të paktën këtë vit”, ka thënë Stubb, duke shtuar se do të ishte mirë të fillohej diçka deri në mars.

Tri pyetjet e mëdha në rrugën drejt një armëpushimi janë garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimi i ekonomisë së saj dhe arritja e një lloj mirëkuptimi në lidhje me pretendimet territoriale, ka thënë ai.

Për të sjellë paqe në Ukrainë, sipas Stubb, Trumpi dhe udhëheqësit evropianë duhet të maksimizojnë presionin mbi Rusinë dhe mbi Putinin në mënyrë që të ndryshojnë mënyrën e tij të të menduarit strategjik.

Putini “në thelb dëshiron të mohojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, qëllime që nuk kanë ndryshuar që nga fillimi i luftës gati katër vjet më parë, ka thënë Stubb.

Për ta bërë këtë, ai sugjeroi përdorimin e mjeteve të tilla si qindra miliarda dollarë në asete të ngrira ruse të mbajtura në Evropë si kolateral për të financuar Ukrainën, si dhe rritjen e presionit ushtarak mbi Moskën.

Ai ka vlerësuar Trumpin për sanksionimin e kompanive të mëdha ruse të energjisë Lukoil dhe Rosneft në tetor, duke thënë se ai bëri “një punë të shkëlqyer”, por ka shtuar se duhet bërë më shumë për t’i dhënë Ukrainës kapacitetin për të goditur “industrinë ushtarake ose të mbrojtjes” të Rusisë.

Muajin e kaluar, Trumpi mohoi një kërkesë të Ukrainës për raketa Tomahaëk me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin Ukrainës të godiste më thellë në Rusi – megjithëse Kievi aktualisht nuk ka asnjë lançues ose platformë nga e cila t’i lëshojë ato.

Ukraina është ende duke negociuar me SHBA-në për më shumë fuqi sulmesh, sipas Stubb.

Në mesin e tetorit, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Trumpi do të takohej me Putinin në Budapest mirëpo takimi u anulua disa ditë më vonë.

Vendimi erdhi pas një telefonate midis sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ku Rubio ndoshta e kuptoi se “rusët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër”, tha Stubb, dhe nuk kishte “asnjë kuptim ta çonin presidentin Trump në një situatë ku ai nuk arrin një marrëveshje apo diçka të tillë”.

“Anulimi ishte një tjetër shembull i një gabimi strategjik nga rusët. Ata patën një mundësi dhe e humbën”, ka thënë Stubb.