Struga akoma mbetet pa ujë, institucionet kompetente pa zgjidhje konkrete

Për të dymbëdhjetën ditë, Struga është pa ujë të pijshëm, por se kur do të kapërcehet ky problem jetik asnjë nga institucionet nuk ka përgjigje. Nesër, Qendra për Shëndet Publik do të kryejë analiza të reja të ujit nga burimet në fshatin Shum, ku furnizohen 50.000 persona nga Struga. Sot, uji u lëshua për analiza të zgjeruara në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup për të përcaktuar praninë e mundshme të grimcave toksike ose kancerogjene në ujë. Analizat e djeshme treguan se shkalla e turbullimit në vetë fshatin Shum ishte 4.40, ndërsa uji më i turbullt rezultoi edhe në spitalin e përgjithshëm të Strugës dhe kopshtin e fëmijëve. Këshilli Komunal zhvilloi sot seancë të jashtëzakonshme.

“Ju nuk e dini se çfarë lloj pasurie keni në Strugë dhe çfarë lloj pasurie ka shanse që të mos e keni më. Të gjitha këto aktivitete dhe gërmime nuk duhet të kryhen mbi një burim. Propozimi im tani është që ato vrima që janë bërë si meteorë, dhe disa me një thellësi prej 25 metrash, të mbushen me tampon toke dhe të shtypet mirë ai vend. Dhe mendoj se atëherë ka shans për ta shpëtuar këtë burim, nëse jo atëherë sinqerisht mendoni për burime të reja”, tha Lidija Simonoska – Qendra për Shëndetin Publik Ohër.

Kryetari i Strugës Mendi Qyra thotë se shkaku i ndotjes së ujit ka shumë të ngjarë të jenë gërmimet mbi burime, që para disa vitesh nga dy kompani.

“Çfarë kemi konkluduar deri më tani. Lëshimi i lejeve ka qenë i vazhdueshëm për më shumë se 10 vjet, pa kriter dhe vetëm për përfitim material. Anomali serioze institucionale. Mund të konkludojmë, kemi edhe fotografi, se është bërë një dëm i madh, kthimi i të cilit në gjendjen e mëparshme do të marrë një periudhë të gjatë. Ne do të marrim masa shtesë shkencore për të mbrojtur këtë rrjedhë ujore, pasi janë bërë gërmime të thella”, u shpreh Mendi Qyra – Kryetar i Komunës së Strugës.

Me disa konkluzione të votuara sot nga Këshilli, kërkohet organet kompetente hetimore dhe Prokuroria Publike të ndërmarrin veprime hetimore për të sqaruar plotësisht çështjen e funksionimit të guroreve në zonën e mbrojtur të burimit “Shum”. Kërkohet nisja e procedimeve dhe ngritja e akuzave ndaj të gjithë personave juridikë dhe fizikë, të cilët me veprimin ose mosveprimin e tyre kanë sjellë rrezikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të furnizimit me ujë të pijshëm. Komuna e Strugës është e detyruar të kërkojë mendim të ekspertëve për të vlerësuar dëmet dhe rreziqet e mundshme për shëndetin e popullatës, si dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për rehabilitim. Kryetari i komunës duhet të krijojë një komision ekspertësh dhe të pavarur që do të përcaktojë përgjegjësinë e autoriteteve komunale. /Alsat.mk