Strategjia goditëse e diktatorit rus Putin, e rrezikshme për shqiptarët!

Përplasjet ndërmjet perëndimit dhe Rusisë, po shtohen gjithnjë e më shumë. Kërcënimet e dyanshme nuk kanë munguar. Rusia në përpjekjet e saj hegjemone, thuajse e ka rrethuar Ukrainën.

Ajo ka një ushtri mjaft të fuqishme, por është tepër e brishtë përballë forcës së jashtëzakonshme ruse. Veç tjerash ajo dhe SHBA kanë numrin më të madh kokave bërthamore, dhe me fuqinë më të madhe goditëse.

Ukraina dikur ishte një nga vendet me më së shumti koka bërthamore. Por, pas ndarjes nga Rusia, në emër të paqtimit të rajonit, nga kërcënimi bërthamor, ajo e shpërbëri thuajse në tërësi këtë industri dhe çmontoi kokat bërthamore e ndihmuar nga perëndimi. Ndoshta nëse do t’i kishte sot, nuk do të ndjehej aq e kërcënuar. Kush e di mund ta kishte shpëtuar edhe Krimenë, të cilën ia aneksoi Rusia në vitin 2014!

Premtimet e Perëndimit

Perëndimi mund të ndihet fajtor apo borxhli ndaj Ukrainës për këtë disbalancë që ia ka shkaktuar me Rusinë.

Ukraina, një vend katolik, për dallim nga Rusia hegjemone e ortodoksisë, është munduar të afrohet gjithnjë e më shumë me Europën, BE-në dhe NATO-n, por deri tash nuk ia ka dalur, për shkak të presionit dhe madje kërcënimit të hapur rus për invadim.

Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë i bënë thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë krizën në kufirin me Ukrainën, duke thënë se Moska mund të presë pasoja të mëdha dhe një goditje të rëndë për ekonominë nëse shkon në ofensivë.

Shtetet të cilat bëjnë pjesë në G7 janë: SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia, Britania dhe Italia.

SHBA e ka paralajmëruar Rusinë për sanksione të thella ekonomike.

Presidenti Joe Biden ka thënë se përballja e njëanshme e Rusisë me forcën ushtarake është ‘jashtë tryezës’, sanksionet e rënda ekonomike, mbyllja e një tubacioni të ri gazi dhe shtimi i mbështetjes ushtarake për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore janë hedhur të gjitha.

“Ne po shikojmë dhe jemi të përgatitur të ndërmarrim hapat nga të cilët jemi përmbajtur në të kaluarën që do të kishin pasoja masive për Rusinë”, ka thënë sekretari amerikan Blinken.

Por, a mund të ketë pasoja, dhe si do të ndikojë gjeostrategjia e re për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.

Bytyçi: Konflikti Perëndim-Rusi do të ketë pasoja të rënda edhe për shqiptarët

ImageEnver BytyçiFOTO GALERI

Profesor Enver Bytyçi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, se kjo nuk është hera e parë që Rusia provokon Ukrainën.

“Rusia e Vladimir Putinit për të disatën herë po e kërcënon Ukrainën. Në shkurt – mars të vitit 2014 Moska aneksoi Krimenë, një rajon ky me 2 milionë banorë, i cili në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 1996 të nënshkruar në Imsk të Bjellorusisë nga presidenti rus Boris Jelcin, ishte përcaktuar si pjesë e sovranitetit të Ukrainës. Pas kësaj presidenti i sotëm rus, Vladimir Putin ka vazhduar provokacionet e tij, duke dërguar forca speciale për të luftuar kundër forcave të sigurisë së Ukrainës në rajonin lindor të saj Donbas. Ky rajon banohet në shumicë nga popullsi me etni ruse. Para dy ditësh Putin deklaroi se “në Federatën e Rusisë jetojnë vetëm 40 për qind e numrit të rusishtfolësve dhe se kjo erdhi si tragjedi e shpërbërjes së ish- Bashkimit Sovjetik”, ka thënë ai.

Bytyçi vlerëson se pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ishte një akt i shkeljes flagrante të së drejtës së shteteve sovrane e garantuar në Kartën e OKB-së.

“Në ditët e sotme Kremlini ka grumbulluar në kufirin me Ukrainën Lindore 175 mijë forca ushtarake dhe një armatim të sofistikuar, me të cilat ai duket se ka ndërmend ta pushtojë Ukrainën Lindore e ndoshta edhe kryeqytetin e vendit, Kievin. Autoritetet ukrainase, përfshirë presidentin e vendit, janë të tronditur nga ky fakt. Ata tashmë janë në panik nga frika e një ndërhyrjeje tjetër të Rusisë, me të cilën provokohet mosekzistenca e shtetit të Ukrainës. Ky akt do të ishte një shkelje flagrante e së drejtës së shteteve sovrane e garantuar në Kartën e OKB-së. Por, Rusia ka ardhur në këtë situatë kërcënuese për Ukrainën jo aq për fuqinë ushtarake dhe bërthamore që posedon. Më së shumti për lëshimet e Perëndimit e sidomos të Europës kontinentale. Më aktive për ta amnistuar Rusinë për pushtimin e gadishullit të Krimesë, ishte Franca. Madje që në kohën e ngjarjeve në konflikt me Gjeorgjinë të vitit 2008. Aso kohe ishte presidenti francez, Nikolla Sarkozi, ai që i dha “mbështetje” Vladimir Putinit, mbasi ky i fundit pushtoi Abkhasinë dhe Osetinë e Jugut”, potencon profesori.

Në emër të “botës ruse”

Tutje profesori thotë se më parë presidenti francez shkëmbeu vizita në Moskë, në Gjermani vazhdoi pa u shqetësuar me ndërtimin e projektit gazsjellës.

“Pas pushtimit të Krimesë ishin shumë deputetë francezë që shkuan në Krime dhe në Moskë e promovuan “humanizmin” e pushtimit rus të gadishullit! Por, edhe presidenti francez shkëmbeu vizita të nivelit më të lartë me Moskën, duke e rehabilituar plotësisht atë. Ndërsa, Gjermani vazhdoi pa u shqetësuar ndërtimin e projektit gazsjellës, në të cilin ish-kancelari Schroeder ishte këshilltar! Madje Schroeder e pati marrë në mbrojtje ndërhyrjen ruse në Krime. Amerikanët ndërkohë në periudhën e Trump u afruan aq shumë me presidentin Putin, sa vetëm publikisht nuk e shpallën aleat të vetin. Sanksionet e vendosura filluan të hiqeshin. Në vendet e Bashkimit Europian, përveç Francës edhe Italia e disa vende tjera ishin tolerante me Rusinë. Kurse në Ballkan Serbia asnjëherë nuk iu nënshtrua rregullit europian për sanksione ndaj Rusisë. Ajo ruajti lidhje të ngushta me Kremlinin, pavarësisht aplikimit të saj për pranim në BE”, thekson profesori Bytyçi.

Sipas tij, e gjitha kjo ka nisur në emër të teorisë së tij të “botës ruse” dhe mbrojtjes së saj, duke shtuar se strategjia e presidentit rus është rikthimi i fuqisë sovjetike .

“Në këto kushte presidenti rus ka nis të realizojë ndërhyrjen e tij edhe ushtarake në emër të teorisë së tij të “botës ruse” dhe mbrojtjes së saj. Duket se bota është në prag të situatës së vitit 1938, kur Hitleri pushtoi Çekosllavakinë. Se kush do të fitojë, kjo është e panjohur. Por nëse europianët do të jenë të përçarë dhe jo kompakt, atëherë ka shumë gjasa që të fitojë Rusia dhe Ukraina të shkrihet si shtet sovran. Pushtimi i Ukrainës do të nxiste pas disa viteve, e shumta një dekade që Kremlini të pushtonte jo vetëm Moldavinë, të cilën e ka si një kafshatë bakllavaje, por edhe Gjeorgjinë, Bjellorusinë e ndoshta vendet baltike. Rikthimi i fuqisë sovjetike është strategjia e presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë ai.

Pasoja të rënda edhe për shqiptarët

Në fund profesori deklaron, se po të ndodhë një gjë e tillë do të ketë pasoja të rënda edhe për Ballkanin e sidomos për shqiptarët, sepse prania ruse në Ballkan do të jetë shumë herë më e madhe.

“Nga aktorët ndërkombëtarë, nuk shoh ndonjë aksion imponues të pathyeshëm kundër Rusisë. Përmenden sanksionet dhe ndihma ndaj Ukrainës, por përjashtohet opsioni i përballjes me ushtri e me luftë. Sigurisht që lufta do të kishte pasoja katastrofale. Por, nëse Perëndimi e toleron Rusinë në politikat e veta fashiste kundër vendeve europiane, atëherë lufta do të jetë e pashmangshme në një kohë afatshkurtër, e shumta afatmesëm. Çfarë do të ndodhë kur Moska të kërcënojë tri vendet baltike? Do ta lejojë NATO Rusinë të aneksojë vendet anëtare të saj? Mesa duket sot, NATO nuk do të ndërhyjë. Por, ne e dimë se si ndodhi në Luftën e Dytë Botërore, pikërisht nga indiferenca e Fuqive të Mëdha! E dimë edhe se si u sakrifikuan territoret shqiptare pas luftërave ballkanike, me qëllim që të evitohej lufta botërore. Megjithatë, pas një viti Lufta e I Botërore nisi pikërisht nga Ballkani, nga Sarajeva! Mesa duket i njëjti skenar po ndodh edhe me Ukrainën. Fuqitë e Mëdha janë gati ta sakrifikojnë për të garantuar paqen e mëtejshme, gjë që nuk do të ndodhë! Ky konflikt do të ketë pasoja të rënda edhe për Ballkanin, e sidomos për shqiptarët. Sepse prania ruse në Ballkan do të jetë shumë herë më e madhe”, thotë Bytyçi.

Tërnava: Kosova dihet se në krahun e kujt do të radhitet

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se të gjitha luftërat janë bërë si pasojë e interesit.

“Në të gjitha kohërat në botë zhvillohen politika botërore të interesit, dhe të gjitha luftërat që janë bërë deri më tani, si pasojë dhe shkak e kishin interesin, edhe tani përplasjet e radhës që mund të ndodhin, ato janë vetëm për interesa shtetërore apo të regjionit, sikur që bëhet fjala tani për Perëndim-Rusi, e që kjo po e kërcënon Ukrainën me invadim, e që SHBA dhe G7, kanë paralajmëruar të ndërmarrim hapa me pasoja masive për Rusinë, e ka thënë Blinken. Biden ka thënë se përballja e njëanshme e Rusisë me forcën ushtarake është ‘jashtë tryezës’, sanksionet e rënda ekonomike, mbyllja e një tubacioni të ri gazi dhe shtimi i mbështetjes ushtarake për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore janë hedhur të gjitha”, thotë eksperti.

ImageHajrullah TërnavaFOTO GALERI

Sipas tij, NATO-ja e ka për detyrë që po u sulmua një shtet aleat, të rezistojnë deri në fitore, derisa shton që Kosova mund të anashkalohet për një kohë, por mund të ndodhë edhe e kundërta, sepse Kosova dihet se në krahun e kujt do të radhitet.

“Situata e krijuar tani kërkon analiza detaje, por duke pasur parasysh se kompaktësia e shteteve më të zhvilluara të botës janë në anën e SHBA-së, e sidomos ndaj paktit të NATO-s e që po u sulmua një shtet nga këta aleat, e kanë për detyrë që të gjithë së bashku të rezistojnë deri në fitore, dhe nëse e kemi të njohur, situatat e rrethanave dhe zhvillimeve të shteteve të forta, konstatimi është se fitues është ai që është më i forti, si në këtë rast që NATO-ja me aleatët për luftim llogariten si më të përgatiturit në botë. Situata e tillë konfliktuoze në mes të këtyre shteteve në fjalë, nëse ndodh një luftë në të afërmen, Kosova me hallet dhe situatën në të cilën gjendemi, mund të anashkalohet për një kohë, por mund të ndodhë edhe e kundërta, sepse Kosova dihet se në krahun e kujt do të radhitet, dhe ndoshta edhe ushtarët tonë do ta kenë një rol në rast të një lufte me Rusinë, sepse në të shumtën e rasteve edhe në stërvitjet me ushtritë e NATO-s, ushtria e jonë është pjesë e atyre stërvitjeve, dhe gjithsesi ne nuk do të rrimë duarkryq në rast të luftës. Ne jemi mirënjohës të mëdhenj ndaj SHBA-së, që na ka ndihmuar me u çlirua, dhe që tani jemi shtet i pavarur, prandaj çfarë vendimi që do të marrin ushtritë e NATO-s, ne do të jemi pjesë përbërëse e tyre, dhe ndoshta bash ky angazhim me ushtri të Kosovës në këtë konflikt do t’i kontribuoj asaj që Kosova në realitet ta përmbyllë shtetësinë shumë më shpejt se në këto rrethana që goxha po na zhagiten punët qe 21 vite nga çlirimi e këndej. Por, mos të harrojmë se në rast të konflikteve askujt si konvenon që t’i del flaka botës, ka të tillë që dinë me i sanue krizat politike, dhe në këtë rast shumicën e botës më të zhvilluar e përbën perëndimi në krye me Amerikën”, përfundon eksperti i sigurisë Tërnava.