Shfuqizimi i faljeve që i miratoi ish presidenti Gjorge Ivanov në vitin 2016 ka qenë i justifikuar. Shteti ka pasur të drejtë t’i shfuqizojë faljet pasi ato kanë qenë pa bazë ligjore në një krizë politike, por ish funksionarëve Mile Janakieski dhe Kosta Mitrovski, ish kryetar i komisionit zgjedhor komunal në Qendër, u është shkelur e drejta për gjykim të drejtë. Vendim të këtillë solli sot Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strazburg në rastin “Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut“, gjegjësisht në procedurën që e ngriti ish kryetari i Komunës së Manastirit, i cili u dënua dhe e vuajti dënimin me burg për rastin “Transportuesi“, të cilin e hapi ish Prokuroria Speciale Publike, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi njëzëri se: nuk ka pasur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 (e drejta për një gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të ndërhyrjes legjislative me të cilën u lejua shfuqizimi i faljeve presidenciale dhe vazhdimi i procedurës penale kundër parashtruesve të kërkesës“, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës, interesi publik, domethënë përgjegjësia e funksionarëve dhe sundimi i ligjit ka qenë më i rëndësishëm se parimi i sigurisë juridike. Por, Gjykata vendosi se ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë për Janakieskin dhe Mitrovskin dhe i urdhëroi shtetit t’u paguajë nga 3.600 euro të dyve.
“Edhe pse parashtruesit e kërkesës më vonë paraqitën kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme, ai shqyrtim ishte i kufizuar për nga vëllimi dhe nuk i përfshinte të gjitha çështjet e ngritura në parashtresat e prokurorit para Gjykatës së Apelit, me çka disa çështje u zgjodhën përfundimisht në procedurën e apelit dhe nuk mund të rishikoheshin sërish nga Gjykata Supreme. Mënyra e vetme e mundshme për eliminimin e mangësive në procedurën e apelit në një krizë të tillë do të ishte që Gjykata Supreme ta shfuqizonte aktgjykimin e apelit dhe ta kthente lëndën në Gjykatën e Apelit. Duke mos e bërë këtë Gjykata Supreme dështoi në korrigjimin e shkeljes të së drejtës së aplikuesve për një procedurë kontradiktore. Prandaj, ka pasur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 në lidhje me të drejtën e z. Janakieski dhe z. Mitrovski për një gjykim të drejtë“, thuhet në vendim.
Ky rast buron nga faljet masive që i ndau presidenti i atëhershëm në vitin 2016 për funksionarët e lidhur me aferën e përgjimeve. Më vonë ato u shfuqizuan me ligj, pas çka vijuan procedurat penale. Në vitin 2023 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mori vendim se aplikimet e të dënuarve dhe të akuzuarve nga lëndët që i hapi PSP-ja e të cilët i fali ish presidenti Ivanov janë të papranueshme.





