Numri i pacientëve të regjistruar me kancer të prostatës nga 30 deri në 40 persona çdo vit. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Igor Stojkovski, transmeton Portalb.mk.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të regjistruar në Klinikë vitin e kaluar, gjysma, ose 2,540 pacientë, ishin meshkuj. Sëmundjet më të zakonshme malinje te burrat janë kanceri i prostatës, sistemit tretës dhe mushkërive.
Vitin e kaluar, pati 494 pacientë të regjistruar me kancer të prostatës.
“Rekomandohet të fillohet kontrolli për kancerin e prostatës në dekadën e pestë. Kufiri i moshës po zvogëlohet dhe sëmundja po shfaqet te një popullatë më e re. Kanceri i mushkërive, fshikëzës dhe fytit tek burrat shoqërohet me pirjen e duhanit”, tha Stojkovski.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore ‘Zhelezniçar’, Spase Janev, tha se si profesionistë të shëndetit, ata duhet të punojnë më shumë në rritjen e ndërgjegjësimit, veçanërisht te popullata e burrave, për kryerjen e kontrolleve të rregullta parandaluese.
“Nëse dikush ndjen një simptomë edhe në moshën 40-45 vjeç, duhet të vijë për një ekzaminim. Është shumë e rëndësishme të rritet ai nivel i vetëdijes te popullata mashkullore në mënyrë që ata t’i nënshtrohen rregullisht këtyre ekzaminimeve. Të gjithë bashkëqytetarët tanë në moshën 45-55 vjeç, që është më kritikja, duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për skrining”, tha Janev.
Ndryshe, në muajin nëntor në mbarë botën zhvillohet fushata ‘Movember’ e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin e burrave, sidomos për kancerin e prostatës, kancerin testikular, shëndetin mendor dhe parandalimin e problemeve serioze.




