Stoev: Bullgaria pret garanci të qarta nga Maqedonia e Veriut

Sofja pret garanci të qarta nga Shkupi lidhur me të drejtat e qytetarëve me ndjenjë përkatësie bullgare dhe përmbushjen e Marrëveshjes për miqësi nga viti 2017, theksoi shefi i diplomacisë bullgare Svetllan Stoev në takimet bilaterale me eurokomisarin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji dhe me ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit, Hoze Manuel Albaez Bueno.

Siç njofton BGNES, takimet, në të cilat është folur për perspektivat për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE janë mbajtur në Barcelonë në kuadër të Forumit rajonal të gjashtë të Unionit të Mesdheut dhe takimit ministror të BE-së dhe vendeve partnere të fqinjësisë jugore.

“Pala bullgare i theksoi angazhimet e veta proaktive muajve të fundit për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Shkupin, me qëllim që të garantohen të drejtat e qytetarëve me identitet bullgar dhe zbatimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nga viti 2017. Presim garanci të qarta nga Republika e Maqedonisë së Veriut për këtë”, kumtoi MPJ bullgare.

Stoev sot dhe nesër qëndron në Rigë ku merr pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin merr pjesë edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani.

Në kuadër të takimit ministror të NATO-s, siç kumtoi MPJ bullgare, do të mbahet edhe takimi me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Zhosep Borell dhe partnerët Suedia dhe Finlanda për ngjarjet aktuale në Ballkanin Perëndimor.