Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se do të bëjë me dije datën që do të caktohet për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një konferencë për media, ai sot ka pohuar se ka shumë çështje që do të duhen të diskutohen.
“Takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Zakonisht takimet e nivelit të kryenegociaotorëve nuk i paralajmërojmë për media”.
“Por nuk mundem tani të paralajmërojë ndonjë datë, qëllimi ynë është që të kemi sa më parë një takim në nivel të kryenegociatorëve, janë shumë çështje që duhet të zgjidhen në tavolina apo duhen diskutuar”, ka thënë Stano.
Dje më 1 shtatori, emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vizitojë Kosovën.
Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se do të vijë në Prishtinë për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.
Ai ka folur edhe për pjesëmarrjen e tij në Forumin Evropian Alpbach dhe Forumin GLOBSEC. Si dhe, për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se bisedoi për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut. /Klankosova.tv