(Reagim i këshilltarëve të koalicionit “AKI”)
Kur u dëmtua pllaka e shoqatës serbe “Srpski Vez”, Maksim Dimitrievski reagoi menjëherë, e dënoi rastin dhe kërkoi zbardhjen e autorëve. Për këtë reagim nuk ka asgjë të diskutueshme. Çdo sulm ndaj simboleve të një bashkësie duhet të dënohet.
Problemi lind kur i njëjti standard nuk vlen për të gjithë.
Ku ishte Maksim Dimitrievski kur në sallën sportive të Kumanovës, në praninë e tij, u dëgjuan thirrje raciste dhe antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit?
Ku ishte reagimi i tij kur u fyen shqiptarët dhe u nxit urrejtja mbi baza etnike?
Atëherë nuk pati reagim. Nuk pati dënim. Nuk pati thirrje për përgjegjësi.
Kjo nuk është udhëheqje. Kjo është politikë me dy standarde.
Një kryetar komune nuk mund të zgjedhë se cilat ndjenja qytetarësh meritojnë mbrojtje dhe cilat duhet të injorohen. Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është neutralitet. Heshtja është tolerim.
Kumanova ka nevojë për një kryetar që mbron dinjitetin dhe sigurinë e çdo qytetari, pa dallim përkatësie. Kur reagimi varet nga identiteti i viktimës, atëherë nuk kemi barazi, por standarde të dyfishta.
Drejtësia ose është e barabartë për të gjithë, ose nuk është drejtësi!





