Spitali i Ohrit përgatitet për pacientët me Covid-19

Reparti i infektologjisë në spitalin e Ohrit, pas problemeve me pranimin e rasteve të dyshimta me Koronavirus nga Struga, tani do t’i pranojë të gjithë pacientët nga ky rajon. Në ndërkohë, plotësisht është zbrazur reparti i Geriatrisë ku ishin të vendosur mbi tridhjetë persona të moshuar të palëvizshëm dhe të njëjtit janë vendosur në një hapësirë tjetër. Geriatria tani do të shërbejë si repart i karantinës dhe për pranimin e pacientëve të dyshimtë, nëse për këtë paraqitet nevoja.

Për momentin në repartin e infektologjisë kemi 6 pacientë të dyshuar. Ende nuk janë konfirmuar, por u është marrë mostra dhe priten rezultatet. Ne për momentin pranojmë pacientë nga i gjithë rajoni. Për momentin Struga i kontrollon pacientët e saj, e nëse ka nevojë për infektolog, i dërgojnë këtu te ne – deklaroi Goran Balevski, drejtor i spitalit të Ohrit.

Edhe përkundër numrit të madh të të infektuarve në Strugë, sidomos në Llabunishtë ky rajon për momentin nuk do vihet në izolim. Atje dhe në fshatrat tjerë Veleshtë dhe Tatesh do vlejnë masat e njëjta që janë për gjithë shtetin. Ndërsa shtabi i krizës në fshatin Llabunishtë mbajti takim me përfaqësues të pushtetit lokal dhe epidemiologut nga Instituti i shëndetit publik nga Ohri.

U tha se është e domosdoshme të zbatohet masa e vetë-izolimit, si veprim më i suksesshëm në luftën kundër virusit – tha Dashmir Nasufi, komuna Strugë.

Ndryshe, në Strugë për momentin nuk ka pikë ku merren mostra për Kovid 19. Edhe pse ishte hapur, për shkak të afërsisë me repartin e vakcinimit i njëjti u mbyll. Prandaj, tani të gjitha rastet e dyshimta dërgohen në Ohër. Ndryshe në disa pika kontrolluese në dalje të Ohrit ka forca të shtuara të policisë. Lejohen vetëm njerëzit dhe veturat që kanë nevoja urgjente, parasegjithash kontrolle mjekësore.