Fillon “lufta botërore” për maska

Me pandeminë e koronavirusit, që është përhapur anembanë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka krizë botërore për furnizim me material mbrojtës për personelin mjekësor, si maskat dhe dorëzat. Shumë shtete kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po mundohen t’i plaçkitin porositë e tyre, por ende mbetet e paqartë se kush çfarë po bën.

Në Francë, njerëzit kanë nisur t’i referohen si “Guerre des masques” – apo lufta e maskave” dhe të premten zyrtarët gjermanë kanë ngritur gjithashtu dyshime kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Si në “perëndimin e egër”

Andreas Geisel, zyrtar i lartë i shtetit të Berlinit, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një veprim të “piraterisë moderne”, duke akuzuar se kanë përvetësuar porosinë për dyqind mijë maska të porositura nga Policia e Berlinit. Gjermanët thonë se amerikanët ua ndërruan drejtimin maskave derisa po kalonin transit nëpër Bangkok, ka raportuar CNN-ja.

“Kjo nuk është mënyra se si bashkëpunoni me partnerët transatlantikë”, ka thënë Gaisel, duke shtuar se “edhe në kohë të krizës globale, nuk duhet të përdoret asnjë metodë e ‘perëndimit të egër’”.

Në një raport të një mediumi gjerman thuhet se në porosinë gjermane ishte përfshirë edhe kompania amerikane 3M. Por 3M i ka deklaruar të premten CNN-së se kompania “nuk kishte dëshmi që sugjeronte se produktet e 3M ishin konfiskuar. 3M nuk ka të dhëna të ndonjë porosie respiratorësh nga Kina për Policinë gjermane”.

Policia gjermane i ka deklaruar televizionit CNN se nuk mund të konfirmojë nëse porosia ishte kryer nëpërmjet 3M. CNN-ja ka kërkuar koment edhe nga Shtëpia e Bardhë dhe Shërbimet Humane. Edhe presidenti amerikan është përfshirë në debatin për maskat, duke akuzuar 3M-në se nuk po e ka prioritet sigurimin e materialit për nevojat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti madje ka paralajmëruar se 3M do të paguajë çmim për mënyrën e funksionimit.

“Ndalimi i krejt eksportimit të respiratorëve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shkaktonte me gjasë vendet e tjera të hakmerren dhe ta bëjnë të njëjtën, sikur tashmë e kanë bërë pikërisht këtë”, ka qenë reagimi i 3M.

Bllokimi i ventilatorëve të porositur

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka hedhur poshtë se administrata po e bllokon 3M-in që të dërgojë dërgesa me respiratorë jashtë vendit në Amerikën Latine dhe në Kanada. Kryeministri kanadez ka thënë se shteti i tij nuk do të hakmerret ndaj shtetit fqinj për bllokimin e pajisjeve kritike për personelin mjekësor në luftën kundër sëmundjes COVID-19 të shkaktuar nga koronavirusi.

Qeveritë e shteteve të ndryshme po hezitojnë që të lejojnë eksportimin e pajisjeve mjekësore shumë të kërkuara tani.

Të premten, ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya, ka thënë se një porosi për ventilatorë, për të cilët janë kryer edhe pagesat, është bllokuar në Turqi. “Ka një ngarkesë me ventilatorë që tani për tani nuk do të largohet nga Turqia për shkak se Qeveria turke e kupton se është prioritet për kërcënimin e pacientëve në Turqi”, ka thënë ajo, duke shtuar se pala turke ka garantuar se “brenda një periudhe të caktuar, brenda pak javësh”, do të ofrohet materiali i porositur nga Qeveria e Spanjës.

Shumë zyrtarë francezë kanë folur, gjithashtu, për vështirësitë për të siguruar materialin e porositur për shkak të konsumatorëve të tjerë që po shqyrtohen me prioritet. Kryeministri francez, Edouard Philippe, ka folur për “vështirësitë që nganjëherë po i kemi për t’iu qasur produkteve të porositura që nuk po dërgohen gjithnjë. Kjo po ndodh për një mori arsyesh, përfshirë kërkesën e madhe që vjen për Kinën nga Shtetet e Bashkuara, nga Evropa dhe në të vërtetë nga e mbarë bota”.

Presidentët e dy rajoneve në Francë kanë akuzuar konsumatorët amerikanë – pa specifikuar kë – se po mundohen t’u paguajnë kinezëve tre ose katërfishë më shtrenjtë se çmimi real që t’i marrin materialet e porositura nga të tjerët.