Spiropali nga Shkupi kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e gjuhës shqipe

Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Shkup kërkoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo theksoi se shqiptarët, si popull shtetformues, kanë rol kyç në proceset demokratike, në ruajtjen e stabilitetit dhe në mbrojtjen nga ndikimet e jashtme destabilizuese, duke ndihmuar drejtpërdrejt rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Roli konstruktiv i shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre politik në shumicë apo opozitë mbetet jetik për vijimin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane. Duke njohur këtë realitet, mirëpresim zbatimin konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit që është një dokument paqeje dhe bashkëjetese i garantuar ndërkombëtarisht”, tha Elisa Spiropali, ministre e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Ajo nënvizoi se respektimi i gjuhës shqipe, identitetit etnik dhe përfaqësimit të drejtë institucional janë detyrime që duhet të zbatohen pa asnjë ekuivok.

“Respektimi i gjuhës shqipe, identitetit etnik dhe përfaqësimit të drejtë janë detyrime që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa ekuivok”, tha Spiropali.

Gjatë vizitës, ministrja njoftoi gjithashtu se Shqipëria do të hapë një konsullatë në qytetin e Manastirit, si hap për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë në këtë rajon.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut deklaroi se vendi e ka merituar prej kohësh anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por theksoi se nuk do të ketë lëshime pa garanci të forta për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar maqedonas.

“Ekziston rreziku i rritjes së euro-pesimizmit. Ka qytetarë që besojnë në të ardhmen evropiane të shtetit, por dyshojnë nëse Evropa do t’i hapë dyert për ne. Kjo është një tezë që duhet ta rrëzojmë së bashku”, tha Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillimisht ishin pjesë e të njëjtës pako në procesin e integrimit evropian, por për shkak të mungesës së ndryshimeve kushtetuese të kërkuara, rruga e Shkupit drejt Bashkimit Evropian mbetet e bllokuar deri në përmbushjen e këtyre kushteve./VOXAL