Speich: E kuptoj se përse qytetarët e RMV-së janë të frustruar nga BE-ja, procesi i anëtarësimit duhet të përshpejtohet

Sekretari shtetëror për çështje federale dhe evropiane i shtetit gjerman Mark Speich, tha për Deutsche Welle-n se është e nevojshme të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe se frustrimi në rritje në mesin e qytetarëve në lidhje me këtë proces është i kuptueshëm.

Speich vuri në dukje se Gjermania duhet të angazhohet në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

“Mund ta ndjeni atë skepticizëm dhe zhgënjim në rritje me procesin e pranimit në BE. Sinqerisht, ka një bazë për të. Procesi vazhdon prej 20 vitesh dhe ende nuk ka një rezultat përfundimtar, gjë që shkakton zhgënjim. Është shumë e kuptueshme për mua. Mënyra më e mirë për të ecur përpara është përshpejtimi i procesit dhe unë mendoj se BE-ja duhet ta bëjë këtë. Natyrisht, ka disa lojtarë të vetos dhe e gjithë kjo situatë komplekse. Por unë mendoj se ne duhet të përdorim pushtetin politik këtu dhe Gjermania duhet të luajë një rol kyç në tejkalimin e këtyre pengesave. Mënyra e vetme për të parandaluar zhgënjimin është përfundimi i procesit të anëtarësimit dhe përfundimi për mua do të thotë anëtarësim”, tha Shpajh në një intervistë për DV në gjuhën maqedonase.

Këtë javë, Spajh ishte në një vizitë dyditore në Shkup, ku pati takime me përfaqësuesit më të lartë politikë dhe ekonomikë, si dhe u takua me një grup gazetarësh të rinj, pjesëmarrës në një projekt për luftimin e dezinformimit.