Spasovski: Për marihuanën e kapur në Haraçinë, më shumë informacione pas hetimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot deklaroi se gjatë 100 ditëve të kaluara ka rritje të veprimtarisë zbuluese të narkotikëve në vend, e cila, siç tha, i referohet edhe njoftimeve të shpeshta në buletinin për drogën e zbuluar dhe konfiskuar.

Ai këtë e tha duke dhënë llogaridhënie për punën e bërë në 100 ditët e para të Qeverisë në pjesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërkaq duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit të MIA-s të komentojë për shkak të njoftimeve të shpeshtuara në buletinet për konfiskim të marihuanës, nëse jemi bërë shtet në të cilin marihuana është teket dominante dhe nëse jemi destinacioni i fundit apo vendi tranzit për stërshitje të mëtutjeshme.

Në opinion është aktual rasti për dy tonë marihuanë e cila nga Vallandova u vodhën, e më pas policia kreu bastisje në Haraçinë dhe lokacione të tjera, por gjeti vetëm një pjesë të narkotikëve. Në fillim të muajit policia konfiskoi edhe 53 kilogramë marihuanë në fshatin Kalishtë, ndërsa buletinet çdo ditë informojnë për raste të tjera të personave të arrestuar dhe marihuanë të konfiskuar.

“Pozita gjeostrategjike e RMV-së ka mjaft benefite për qytetarët, për shtetin, por krijon edhe shumë probleme nëse shikoni jo vetëm përmes kontrabandës dhe tregtisë me mjete narkotike, por edhe përmes emigracionit apo terrorizmit. Ato janë pasoja nga aspekti i sigurisë që qëndrojnë para nesh”, tha Spasovski.

Ai theksoi se kjo nuk është dukuri e cila tani shënon ndonjë rritje, por, siç tha, ka rritje serioze në veprimtarinë zbuluese në këto 100 ditë.

“Kjo flet se kemi konfiskim të marihuanës, kemi konfiskim të hashashit, kemi konfiskim të kokainës, kemi konfiskim të tabletave, konfiskim të drogës sintetike, do të thotë çfarëdo lloji të lëndëve narkotike, të cilat kalojnë. Tashmë janë asgjësuar edhe dy grupe të organizuara kriminele të cilat merren me tregti të lëndëve narkotike, madje të lidhura edhe me shtetas të Shqipërisë dhe Turqisë. Kështu që punojmë me shumë përkushtim në këto 100 ditë dhe këtë do të bëjmë edhe në periudhën e kaluar, posaçërisht kolegët në sektorin për krim të organizuar dhe për krim polici, ku punojnë intensivisht në parandalimin e tregtisë me drogë”, theksoi Spasovski.

MPB në koordinim me prokurorinë publike më datat 7 dhe 8 të këtij muaji ndërmori një sërë masash dhe aktivitetesh për ndriçim të vjedhjes së kryer mes 3 dhe 4 dhjetorit në rajonin e Vallandovës, ku u morën 2 tonë marihuanë. U bënë bastisje në Haraçinë, Mojancë të Epërme dhe lokacione të tjera, me ç’rast është gjetur një pjesë e drogës. Disa nga të dyshuarit janë arrestuar, policia deri më tani ka siguruar dëshmi për gjashtë persona të dyshuar, por hetimi po zgjerohet”, deklaroi atëherë zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Ministri Spasovski sot nuk deshi të paraqesë më shumë hollësi për këtë rast. Përmendi vetëm se hetimi zgjatë akoma dhe se kur do të përfundojë, opinioni do të informohet për të gjitha hollësitë lidhur me këtë rast.

Sipas informatave në mediume, ndërmarrja nga e cila është vjedhur marihuana është Herb Industri, e cila ka licencë për prodhim të marihuanës nga viti 2018. Vlerësohet se dy tonë e vjedhur marihuanë kushtojnë rreth gjashtë milionë euro, ndërsa nëse prodhohet vaj nga kanabisi, çmimi do të arrinte deri 10 milionë euro. Marihuana ishte përgatitur për prodhim të vajit të kanabisit për përdorim mjekësor.