Spasovski në Saraj: Vazhdimisht i dëgjojmë kërkesat e qytetarëve

Nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski në kuadër të karvanit “Më të mirën për komunën tonë” ka realizuar takim me banorët e komunës së Sarajit.
Spasovski para të pranishmëve është përqendruar në realizimin e projekteve të shumta lokale të ndihmuara nga pushteti qendror në bashkëpunim me pushtetin lokal.
“Vazhdimisht investojmë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërsa në këtë pjesë për katër vite janë rehabilituar korsia e autostradës Saraj- Grupçin me gjatësi prej 16 km, është ndërtuar rruga rajonale prej 3.6 km Saraj- Radushë, 2 km nga rruga rajonale Saraj- Semenishtë, ndërsa në maj të vitit të kaluar procedura e tenderit për ndërtimin e rrugës Karpallëk- Zhelinë në gjatësi prej 12.2 km”, ka thënë Spasovski.
Banorët e Sarajit, siç theksohet, kanë vlerësuar investimet edhe në sektorët tjerë siç është projekti i ndërtimit të objektit dhe pajisjes së kopshtit për fëmijë në fshatin Kondovë, por edhe ndërtimin e Poliklinikës së re në Saraj e cila është në rrjedhë, ndërsa duhet të jetë gati deri në fund të këtij viti si dhe shumë projekte tjera për këtë komunë të mbështetura nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Si parti, por edhe si pushtet i përgjegjshëm, tha Spasovski “vazhdimisht do t’i dëgjojmë qytetarët, bisedojmë për propozimet e tyre, idetë dhe sugjerimet që më vonë i shndërrojmë në projekte konkrete”.