Spasovski: Anëtarësimi në Nato do të stimulojë investimet

Kryeministri teknik i vendit, Oliver Spasovski, i cili po merr pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Ripërtrirje dhe Zhvillim, ka thënë se formalizimi i anëtarësimit në NATO, është garancë për stabilitet dhe siguri për investime. Ai ka thënë se vendi angazhohet edhe në pakon e projekteve me rëndësi rajonale, ku ka përmendur këtu projektet infrastrukturore siç janë, ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8, ndërtimi i autostradës Shkup –Bllacë, si dhe projektet e tjera rajonale me Serbinë dhe Greqinë.

Oliver Spasovski, Kryeministër teknik

“Hapja e pritur e negociatave me BE-në e bën Maqedoninë e Veriut destinacion të dëshiruar për investime, përfshirë ketu mundësitë nga programi afatgjatë i Qeverisë për rritje ekonomike, i cili parasheh lehtësime të shumta dhe përfitime për investitorët e huaj. Qëllimi ynë mbetet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE. Përpjekjet e Qeverisë janë të orientuara drejt realizimit të atij qëllimi, posaçërisht sjellja e vendimit për fillimt të negociatave qasëse. Në atë drejtim, kemi pranuar bashkëpunimin rajonal me angazhim maksimal, si parakusht për integrim në BE”.

Kryeministri teknik ka theksuar se vendi angazhohet për përfshirje maksimale në iniciativën për përforcim të bashkëpunimit rajonal dhe se deri më tani, ka marrë pjesë në samite rajonale të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë.

Oliver Spasovski, Kryeministër teknik

“Si mirënjohje për lidership të Maqedonisë së Veriut, vendit tonë i është dhënë bashkë-kryesimi i procesit të Berlinit për bashkëpunimin rajonal, së bashku me Bullgarinë. Vendi ynë është vendi i parë jashtë BE-së të cilit i është dhënë ai privilegj dhe ne shohim në atë si mundësi për përforcim shtesë të bashkëpunimit rajonal dhe nxitje për projekte rajonale të lidhshmërisë”.

Në këtë samit kanë marrë pjesë dhe kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë dhe Malit të Zi, si dhe kryesuesi i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë prezantuar pikëpamjet e tyre për prioritetet e projekteve rajonale për të cilat pritet mbështetje nga BERZH-i dhe nga institucionet e tjera financiare dhe fonde të BE-së.