Spanjë, rritet në 558 numri i të vdekurve nga Covid-19

Në Spanjë është rritur në 558 numri i të vdekurve ndërsa ka shkuar në mbi 13.700 numri i personave të infektuar nga koronavirusi i ri (Covid-19).

Drejtori i Qendrës së Ministrisë së Shëndetësisë për koordinimin e paralajmërimeve dhe shërbimeve emergjente shëndetësore, Fernando Simon, në një konferencë për media lidhur me Covid-19 tha se është rritur në 13.716 numri i rasteve të koronavirusit në vend.

Ai theksoi se për shkak të Covid-19 numri i personave të vdekur ka arritur në 558 ndërsa nën kujdes intensiv janë 774 të tjerë të prekur nga virusi.

Simon tha se në krahasim me rastet e shënuara dje, në Spanjë është shënuar një rritje me 2.538 raste të Covid-19. Sipas tij, kjo është shifra më e lartë e rasteve të shënuara brenda një dite në vend gjatë epidemisë.

Ai potencoi se Prokuroia ka nisur një hetim pasi për shkak të koronavirusit brenda një jave kanë humbur jetën 17 të moshuar në një azil pleqsh në Madrid.

Kryeqyteti i Spanjës, Madridi, është rajoni ku janë shënuar më shumë raste të Covid-19 me 355 vdekje dhe 4.871 raste.

Në Madrid në krahasim me një javë më parë është ulur intensiteti me 69 për qind në metro dhe 75 tek autobusët.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, në një fjalim të mbajtur në Parlament deklaroi se “Nuk ka ardhur ende periudha më e vështirë”.