Spanjë, punonjës shëndetësorë në izolim për shkak të Covid-19

Rreth 100 punonjës të shëndetësisë së bashku me 120 persona të tjerë janë në izolim në veri të Spanjës pasi të paktën 5 mjekë dhe punonjës mjekësorë janë infektuar me koronavirusin e ri në spitale.

Ministrja e Shëndetësisë e rajonit autonom të Baskisë, Nekane Murga thotë se autoritetet kanë përshpejtuar procedurat për punësimin e mjekëve të rinj për të kompensuar mungesat e mundshme të punonjësve të kujdesit shëndetësor në muajt e ardhshëm.

Një nga burimet e infeksionit në Spanjë është në qytetin Vitoria dhe po monitorohet nga afër nga autoritetet. E dyta është në një qytet të vogël afër Madridit, ku rastet lidhen me aktivitetet e grupit fetar.

Autoritetet thanë sot se 149 raste të infeksionit me virus janë konfirmuar në Spanjë, 35 më shumë se një ditë më parë.

Qendra Spanjolle e Koordinimit të Shëndetit të Emergjencave raportoi se shumica e personave të infektuar ishin jashtë vendit, kryesisht në Itali. Spanja nuk ka pasur vdekje të lidhura me epideminë e koronavirusit.