Spanja mirëpret armëpushimin SHBA-Iran, refuzon të ‘duartrokasë ata që i vunë flakën botës’

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez përshëndeti sot armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit, por tha se nuk meriton lëvdata “vetëm sepse ata shfaqen me një kovë”.

“Qeveria e Spanjës nuk do t’i duartrokasë ata që i vënë flakën botës, vetëm sepse shfaqen me një kovë. Ajo që nevojitet tani: diplomaci, ligjshmëri ndërkombëtare dhe PAQE”, shkroi Sanchez në platformën amerikane të mediave sociale X.

Duke riafirmuar se armëpushimi është një lajm i mirë, ai paralajmëroi se lehtësimi i çastit nuk duhet t’i çojë ata të harrojnë “kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura”.

“Diplomacia, negociatat dhe ligji ndërkombëtar janë të vetmet rrugë drejt paqes së qëndrueshme që qytetarët e Lindjes së Mesme e meritojnë. Të gjitha palët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe angazhim për ndërprerjen e sulmeve dhe uljen e tensioneve, të cilat Spanja do të vazhdojë t’i mbështesë”, shkroi ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares në X.

 

 

Më vonë, duke folur në “Radio Nacional de Espana”, Albares argumentoi se është “ende shumë herët” për të ditur se ku do të përfundojnë përpjekjet e ndërmjetësimit. “Jemi ende larg paqes. Ky hap nuk është i fundit, por është absolutisht i nevojshëm”, tha ai.

Albares vuri në dukje situatën në Liban, duke theksuar se “është e papranueshme që pushtimi i një vendi sovran nga Izraeli dhe bombardimi pa dallim i popullsisë civile në Bejrut të vazhdojnë”./ AA.

© SYRI.net