Spanja ka kryer kontrollin e qindra udhëtarëve që vinin nga Italia në gjashtë aeroportet më të mëdha të vendit, në ditën e parë të rivendosjes së kontrolleve kufitare, pas një mosmarrëveshjeje me Italinë lidhur me migracionin e parregullt.
Ministria e Brendshme e Spanjës ka njoftuar vonë të shtunën se kishte kryer kontrolle ndaj gjithsej 199 personave në 12 fluturime nga Italia drejt aeroporteve të Madridit, Barcelonës, Seviljes, Bilbaos, Alikantes dhe Valencias.
Të premten, Spanja ka deklaruar se kontrollet kufitare per fluturimet dhe anijet nga Italia do të mbeteshin në fuqi deri më 7 shtator, pasi Roma zyrtare kishte zbatuar masat e saj. Këto masa, sipas Romës, ishin nxitur nga fluksi masiv i 72,000 personave drejt enklavës spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut, më 30 korrik.
Italia e ka pezulluar marrëveshjen e Shengenit me Spanjën që nga 1 gushti dhe ka bërë të ditur se do t’i mbajë në fuqi kontrollet kufitare të paktën deri më 15 gusht.
Roma ka sqaruar se masa nuk do të ndikonte te shtetasit spanjollë apo ata të vendeve të tjera të BE-së që udhëtojnë drejt Italisë, por do të përfshinte kontrolle të shënjestruara ndaj shtetasve jo-anëtarë të BE-së që vijnë nga Spanja me avion ose anije.
“Shpresojmë të jemi në gjendje ta heqim pezullimin së shpejti, sapo të mos ketë më asnjë rrezik”, ka thënë ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, për gazetën italiane “Corriere della Sera” të dielën.
Zona Shengen lejon udhëtimin pa pasaportë nëpër 29 vende evropiane, megjithëse shtetet anëtare mund të rivendosin përkohësisht kontrollet kufitare për arsye sigurie ose rendi publik.



