Vizita e kreut të SPAK-ut shqiptar, Altin Dumani, në Kosovë, me ftesë të Ambasadës Britanike në Prishtinë, ka rikthyer fuqishëm në vëmendje debatin për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe nevojën për krijimin e një mekanizmi të ngjashëm antikorrupsion edhe në Kosovë. Përvoja e SPAK-ut në Shqipëri, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, po shihet si model i mundshëm edhe për institucionet kosovare, në një kohë kur besimi i qytetarëve në drejtësi mbetet i ulët.
Analisti politik Nexhat Haziri vlerëson se iniciativa e Ambasadës Britanike për të nxitur diskutimin rreth themelimit të një institucioni të ngjashëm me SPAK-un në Kosovë është lajm i mirë dhe sinjal i qartë se nevoja për reformë në drejtësi është bërë urgjente.
“Iniciativa që edhe në Kosovë, në një të ardhme shumë të afërt, të themelohet një lloj SPAK-u si ai në Shqipëri, nënkupton domosdoshmërinë për reformë të thellë në sistemin e drejtësisë kosovare, sidomos në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet Haziri.
ImageNexhat HaziriFoto galeri
Sipas tij, realiteti i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë nuk ka ndryshuar në thelb ndër vite.
“Ka ndryshuar vetëm emërtimi dhe pozicionimi i individëve – nga niveli më i ulët deri te ai më i lartë i përgjegjësisë institucionale dhe qeveritare. Fenomeni mbetet i njëjtë dhe është i përhapur në pothuajse çdo hallkë shtetërore”, thekson ai.
Haziri kujton se në të kaluarën paratë me origjinë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pastruar përmes investimeve në ndërtimtari, rrjete marketesh, sektorin e derivateve të naftës, por edhe jashtë Kosovës.
“Një pjesë e madhe e këtyre parave kanë përfunduar në Shqipëri, sidomos në investime në prona të paluajtshme përgjatë bregdetit, si dhe në bankat turke”, shpjegon ai.
Sipas Hazirit, sot format e pastrimit të parave kanë ndryshuar, por jo edhe praktikat.
“Tani kemi forma të tjera të tentimit për pastrimin e parasë ose mbajtjen e saj në mënyrë ilegale, e njohur si ‘para nën jastëk’. Investimet vazhdojnë në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme, por ‘streha’ kryesore e kësaj pasurie nuk është më Turqia – tashmë është Greqia”, vlerëson analisti.
Ai shton se nxjerrja e parasë jashtë Kosovës, qoftë në Turqi, Greqi apo edhe në Shqipëri, lidhet drejtpërdrejt me individë të fuqishëm politikë që mbajnë poste të larta shtetërore.
“Pronarët realë të këtyre pasurive janë njerëz me ndikim të madh politik dhe institucional”, thekson Haziri.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se edhe partnerët ndërkombëtarë e kanë parë si të domosdoshëm angazhimin për të ndihmuar Kosovën në reformimin e drejtësisë.
“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomene endemike dhe gjithëpërfshirëse. Prandaj kërkohet krijimi i një mekanizmi të besueshëm për luftimin e tyre dhe për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar”, shprehet ai.
Haziri sqaron se ardhja e Altin Dumanit në Kosovë nuk nënkupton domosdoshmërisht që ai të jetë në krye të një institucioni të tillë.
“Unë nuk pres që z. Dumani të udhëheqë një institucion të ngjashëm në Kosovë. Ardhja e tij ka për qëllim sjelljen e përvojës së tij si drejtues i SPAK-ut dhe modelin e funksionimit të këtij institucioni, i cili në Shqipëri ka lënë gjurmë konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson Haziri.
Në fund, analisti vlerëson se një reformë e tillë nuk mund të ketë sukses pa vullnet të qartë politik dhe shoqëror.
“Përveç mbështetjes ndërkombëtare, nevojitet vullnet i sinqertë politik dhe konsensus shoqëror. Deri më tani kemi dëgjuar vetëm deklarata dhe fraza, ndërsa në praktikë lufta kundër korrupsionit është politizuar dhe përdorur si instrument për propagandë elektorale ose për ndjekje të kundërshtarëve politikë”, përfundon Haziri.




