Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në Shqipëri ka pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndaj të cilës ka ngritur aktakuzë për korrupsion.
SPAK po ashtu i ka vendosur masën e sigurisë, duke ia pamundësuar Ballukut daljen nga shteti.
Ajo akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
Aktakuza ndaj saj u ngrit më 31 tetor 2025.
Sipas SPAK-ut ajo dyshohet se ka bërë shkelje në dy procese prokurimi, përkatësisht për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesën e seksionit rrugor Orikum-Himarë, dhe për ndërtimin e unazës së jashtme të Tiranës, të lotit të katërt.
Sa i përket ndërtimit të tunelit, sipas hetimeve të deritanishme, SPAK tha se janë evidentuar veprime të kundërligjshme të bëra nga Balluku.
“Në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues”, u tha në njoftim.
Balluku, së bashku me të pandehurit e tjerë që ishin pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica “kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’”.
Të gjithë të pandehurit kanë pasur detyra zyrtare në kohën kur dyshohet se kanë bërë shkelje të ligjit.
Ndërkaq, sa i përket projektit për ndërtimin e unazës së jashtme të Tiranës, SPAK po ashtu tha se Balluku e ka orientuar procedurën e prokurimit publik.
“E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,’E…’ sh.p.k, ‘P…’sh.p.k, dhe ‘N…’sh.p.k”, tha SPAK-u.
Përveç Ballukut, masa janë vendosur edhe ndaj të pandehurve të tjerë, përkatësisht Gentian Gjyli dhe Erald Elezi janë dërguar në arrest shtëpiak.
Pas ngritjes së aktakuzës, Balluku me të dalë nga SPAK-u kishte deklaruar se po hetohej dhe se kishte shpresë që procesi do të jetë “i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj”.
Ndërkaq, para se të ngrihej aktakuza ndaj Ballukut, kryeministri shqiptar, Ed Rama, nuk kishte pranuar të komentonte për këtë rast, duke theksuar se “ne e kemi punën tonë, drejtësia punën e vet”.
SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.
Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim./rel




