“Sozia”, tre të pandehur kanë vendosur ta dëshmojnë pafajësinë e tyre

Tre të pandehur në rastin “Sozia” kanë vendosur ta dëshmojnë pafajësinë e tyre në këtë rast, me lëshimin e pasaportave të rreme për kriminelët nga rajoni, shkruan Alsat. Sot vazhdon gjykimi, por me dyer të mbyllura. Publiku u përjashtua, sepse u prezantuan dëshmi, që klasifikoheshin si “sekret shtetëror”. Shtatë persona e pranuan fajin për këtë rast. Gjashtë morën burgim efektiv, ndërsa një person u dënua me kusht. Edhe një e pandehur, e cila është e sëmurë, njoftoi përmes avokatit të saj se do ta pranojë fajin. Në tërësi 11 persona u akuzuan në këtë rast. Ata lëshuan 215 pasaporta false, ndërsa pasaportë maqedonase me identitet të vjedhur kanë fituar anëtarët e grupeve kriminale dhe anëtarë të narko karteleve, si dhe personat e kërkuar nga Interpoli. Sipas MPB-së, një pasaportë e rreme ka kushtuar 20 mijë euro.