Sovraniteti i Serbisë ma i ambël se sovraniteti i Amerikës

Shkruan: Shaban Murati

 

Gjatë 100 viteve Serbia i ka emëruar Shqipërisë katër kryeministra dhe dhjetra ministra. Nuk u ankuan kurrë për shkelje sovraniteti nga Serbia as kryeministrat, as ministrat dhe as suvarijtë e tyre në asnjë kohë. Befas në vitin 2022 në Tiranë vjen nga Beogradi marshi serb “Amerika po na i shkil sovranitetin, o hej!”. Dhe gjithë shqiptarët e tredhur brofën symbyllur në errësirën e trurit të tyre të ngrirë dhe nxorrën ushtat e kashtës kundër Amerikës. Dhe kanë të drejtë, sepse Amerika i ka bërë padrejtësinë e madh kombit shqiptar, duke u dhënë në këto 100 vjet sovranitetin dy shteteve shqiptare. Por shqiptarët e tredhur nuk e duan sovranitetin e Amerikës. Duan sovranitetin e Serbisë se ashtë ma i ambël për ta. Kështu ka thanë begu. Dhe shqiptarët e tredhur po bëjnë gati tupanat për kryeministrin e pestë të Shqipërisë nga Serbia. Meriton ditirambe shqiptari i madh dhe i rrallë Fan Noli me britmën e tij poetike kombëtare: “Skllevër, bij skllevërish, liri nuk doni!”.