Sot vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi

Të enjten në Bruksel zhvillohet një takim në mes të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë hollësi rreth këtij takimi, duke u arsyetuar se është në nivel të ekspertëve dhe se BE-ja në raste të tilla nuk jep hollësi.

Por, ajo që është konfirmuar nga Bashkimi Evropian është se temë e takimit të sotëm do të jenë çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore që palët kanë ndaj njëra-tjetrës.

Së pari delegacionet do të takohen ndarazi në takime bilaterale me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog Mirosllav Lajçak e më pas do të kenë takimin e përbashkët.

Kjo formë është bërë tashmë e zakonshme në raundet e dialogut në Bruksel.

Takimi i 10 dhjetorit vjen pas një pauze gjatë së cilës nuk ka pasur takime.

Për këtë shpesh si arsyetim është përmendur pandemia e koronavirusit, mirëpo disa diplomatë në BE pohojnë se në ngadalësimin e dinamikës së dialogut ka ndikuar edhe refuzimi i Kosovës që të diskutohet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas marrëveshjes së arritur kohë më parë, dhe insistimi i Serbisë që kjo temë të jetë në tryezën e bisedimeve.

Pala kosovare vazhdon të insistojë se këto diskutime janë politike e jo të ekspertëve apo teknike.

Në BE ndërkaq, takimin e së enjtes e konsiderojnë si takim të ekspertëve.

Takim në nivelin e lartë, ku marrin pjesë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksadar Vuçiq, nuk ka pasur qysh nga shtatori.

Në BE vazhdojnë të pohojnë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e BE-së, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve.

Sipas vetë të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog Mirosllav Lajçak të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së ka nisur më 2011 në Bruksel.