Ethet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë me takimin e të dërguarit të posaçëm të Presidentit Trump, Steve Witkoff, me Presidentin rus Vladimir Putin këtë pasdite.
Takimi do të zhvillohet “në gjysmën e dytë të ditës”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke refuzuar të përmendte vijat e kuqe të Rusisë dhe duke thënë se diplomacia me megafon nuk është e dobishme.
Udhëtimi i Witkoff vjen pas bisedimeve që ai kryesoi në Florida me delegacionin ukrainas.
SHBA-të janë shfaqur optimiste në lidhje me perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, teksa sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt u tha gazetarëve të hënën: “Mendoj se administrata ndihet shumë optimiste”.
Megjithatë, aleatët europianë të Kievit kanë shprehur shqetësim se plani i paqes i SHBA-së i plotëson shumë kërkesat maksimaliste të Moskës. Karakteristikë e klimës është deklarata e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, se ajo ka frikë se bisedimet Putin-Witkoff do të ushtrojnë presion mbi Ukrainën për të bërë lëshime. Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, udhëtoi gjithashtu në Rusi me Witkoff, megjithatë Kremlini nuk sqaroi nëse ai do të jetë i pranishëm në takimin me Putin.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të hënën se Rusia nuk duhet të shpërblehet për pushtimin e saj.
“Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që vetë Rusia të mos perceptojë asgjë që mund ta konsiderojë si shpërblim për këtë luftë”, tha ai në një konferencë shtypi me Presidentin Francez, Emmanuel Macron.
Presidenti ukrainas zhvilloi gjithashtu telefonata me disa udhëheqës, përfshirë Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe Kancelarin Gjerman Friedrich Merz, ndërsa kërkoi të mblidhte mbështetje nga aleatët europianë.
“Paqja duhet të bëhet vërtet e qëndrueshme. Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai në media sociale.
Top Channel




