Sot pritet të votohet Ligji për Regjistrimin

Ndonëse zyrtarisht në agjendën e sotme të Kuvendit nuk gjendet votimi i Ligjit për Regjistrimin e popullsisë, TV21 mëson se ka shanse që i njëjti të votohet.

Kjo mund të bëhet me një praktikë të pashkruar të Kuvendit, ku para nisjes së debatit për seancën caktuar për sot, kryetari i Kuvendit nëse sheh se ka shumicën e nevojshme për votim të ligjit, mund të kërkojë rikthim në seancën paraprake, për të votuar ligjin për regjistrimin.

Kalimi i këtij ligji kërkon shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, ndërsa nevojitet edhe votimi me Badenter, pra duhet të ketë shumicë të votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë Maqedoni. Të dy këto kushte plotësohen, thonë për TV21 burime nga Kuvendi.

Të gjitha partitë shqiptare janë shprehur pro ligjit. Pavarësisht se kritikë ndaj të njëjtit, edhe nga koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë paralajmëruar se do të votojnë pro.

12 votat e tyre bashkë me 62 votat e shumicës, do të arrinin 74 vota, të mjaftueshme për ta kaluar ligjin edhe nëse ndonjë deputet mungon.

Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE-ja dhe “E majta”, janë dy subjektet që janë deklaruar kundër ligjit. Partia e Mickoskit madje ka nisur peticion për këtë çështje, duke kërkuar që Parlamenti të sjellë ligj të ri për regjistrim fer dhe të drejtë. Në 19 orët e para të peticionit, kanë grumbulluar rreth 1900 nënshkrime, ndërsa synimi është mbledhja e 10 mijë firmave.

Ndryshe, nëse ligji votohet, Regjistrimi i popullsisë pritet të realizohet në muajin prill të këtij viti./TV21