Shkruan: Albert Vataj
Më 28 janar të vitit 1936 u lind në Gjirokastër, Ismail Kadare.
Sot, ai nuk është thjesht një shkrimtar, nga më të shquarit ndër shquesit e shqipshkrimit në letrat që i kumtojnë shqiptarët bots. Ai është shtylla vertebrore e identitetit tonë kombëtar dhe shprehja më autentike e integritetit tonë europian.
I ikur qysh prej 1 korrikut 2024, ai këputi të frymshmen kësobote, për të mbetur vepër, për të dëshmuar dritën, në nevojën tonë të ngutshme për dalë nga terri, ku zezonat e fatit, historisë dhe vetvetes na mbanin ngujue.
Sot, 90 vite, prekur ju gjegj ligjësisë së jetës, Ismail Kadare, erdhi për të dritëlindur në çdo datëlindje. Sepse ardhur kish si një premtim. Si një përmbushje amaneti i’a behu ai. Të zgjonte nga përjetësia një identitet; mitesh, eposi, legjendarësh dhe legjionarësh për t’ia faqur njohjes.
Me penën shgjetare e fjalën parmendë, shpirtjen ngulmëtare e shqipen farkëtuar në dritë, erdh, për të nxjerrë nga thellësia e kohës dhe harrimit, zërin dhe zotat e kësaj fare, mbirë zjarresh e harbuar shendit të hirit.
E mbrujti ai bukën e kësaj bujarie, me duart që i nxori nga rrënjë rrepesh e shkrepa kryelartësuar mbi re. E shtroi këtë sofër begatimi njohje e shenjtërimi, ndër botë e qytetërime, kultura e kanune, jo vetëm për të kthyer shqiptarët në vendin e merituar, por për t’u krenuar me çfarë në kohje dhe histori ky komb ish.
E megjithatë kaq ndoshta nuk mjaftoi. Po, duhej shumë më shumë, edhe pse ai bëri aq sa i’a pamundëson çdo përkushtimi dhe obligimi tjetër, ta mbërrijë atë.
Sepse ai gaboi se erdhi në këtë përmbushje hyjnore si njeri, ndoshta në kohën e gabuar, edhe pse ishte koha e duhur për të bërë atë që ai bëri, më mirë se askush.
Edhe pse ndaj tij nuk kanë reshtur një armatë e tërë baltëhedhësish, sërish ai ofroi veprën si provë e devocionit atdhetar dhe e pafajësisë, si dëshmi e një nevoje për kthjellim dhe krenim.
Ky korife vazhdoi të mbetej qëndrestar nën një mal akuzash dhe sharjesh nga më të flligtat, çlirimesh të mbartura zehri dhe helmi që ndërsehen mbi të pareshtur si një lukuni natash kobzeza.
Ai edhe sot pas 90 viteve prej kur u lind, mban mbi supe peshën e ikjes (1 korrik 2024) dhe përballjes me ata që shamatojnë e çuçurisin, kërcëllijnë dhëmbët e zgurdullojnë sytë, ngjyjnë gjuhën në zehër dhe ndërsejnë keqdashje e keqkuptim.
Më gurin e rëndë të inateve, që i marrin me vete kudo ku shkojnë, ata mprehin thonjtë e rreken të çjerrin taftin shndritës të famës që e fillëron si një breror mbi krye atë.
Dukej se hera-herës, ai, Ismail Kadare sa ish në jetë nuk i dëgjonte, por piskama e tyre ishte frymë, gjendje, ajër, krrakamë korbash e kujë ankimtarësh, që iu vu nga pas duke ia përshkuar me trazim gjithkund udhën që ai bëri në të lartësuarit e misionit që shndërroi në vepët.
Një luftë e “viktimave” të komunizmit apo një makth ziliqarësh e zullumqarësh, ende nuk dihet se çfarë e përbën në të vërtetë këtë masë të sëmurë sëmbimesh, që i ishte ngjitur shtatores së gjallë të këtij shqiptari dalzotës, të këtij kalorësi fushëbetejash ngadhënjimtare.
Asnjë përfaqësues i botës shpirtërore shqiptare nuk ishte dhe është sulmuar më shumë se ai. As vetë e keqja nuk ka gjetur zelltarë më të përkushtuar. Të gjithë, të gjithë ata që kishin zgjedhur të mos e adhurojnë, e urrejnë për vdekje. Aq mllef dhe inat, aq helm dhe neveri, sa ç’është ndërsyer ndaj tij, nuk mund të ishte privilegj i asnjë demoni, ironikisht as edhe ndaj vetë Enver Hoxhës.
Me ose pa arsye, mes tyre ka gjithnjë një ndasi vrastare, një hendek të thellë që përpin gjithçka.
Ç’nuk kanë thënë për të dhe gjithë ky gojim ligan ka përzier të vërtetat që e bëjnë atë më faj, me gënjeshtrat dhe xhelozitë, me trillimet dhe legjendat urbane, me keqkuptimet dhe keqinterpretimet, aq sa edhe sot do ta ketë të pamundur dikush të ndaj tek ai mëkatarin me të devotshmin, demonin nga shenjtori.
E donin të vdekur, sepse vetëm ashtu ai mund të lante gjynahet, ligësitë që e lidhin me Kadrenë njeri dhe Kadarenë shkrimtar, me Kadarenë, të përkëdhelurin e diktatorit me Kadarenë, Kadarenë si përfaqësues i Realizmit Socialist dhe Kadarenë si pena më përfaqësuese të lëtrave shqipe në botën e madhe.
Ai nuk ka pretenduar asnjëherë shenjtorin, por vepra e tij e ka shenjtëruar shqiptarinë dhe historinë tonë në gjithë doktrinat e mendimit letrat dhe kanonet evropiane përmes shqipshkrimit e shqiptarisë shumëgjuhëshe.
Gabimet dhe fajet që e penalizojnë, nuk mund ta dlirin për ta bërë atë të përkorë, por do të ishte asgjësuese dhe mjerane nëse vijojmë ende të zgjedhim linçimin dhe anatemimin e tij si heretik, pa mbajtur më parë atë çfarë i përket vlerave në të, sepse, si për dëshirimtarët, ashtu edhe për zezontuesit, ai është një prej atyre kreshtave ku lartësohet në vepër dhe ne rrokaqiellemi në përkatësi dhe krenim.
Ismail Kadare nuk ishte i pari e as fundit njeri, me të mirat dhe të këqijat rrethanore, që ka ardhur në historinë e letërsisë botërore, për të qenë edhe njeri edhe shkrimtar, për të qenë ana e ndritshme dhe e errët e një identiteti. Gjithashtu edhe kritikët, sulmuesit, refuzuesit, kundërshtuesit, urryesit, nemtarët, puritanët, ndoshta duke i parë gjërat më qartë, duke u përpjekur për të ndërtuar një marrëdhënie më të modertuar të mospranimit të Ismail Kadaresë njeri dhe Ismail Kadaresë shkrimtar, do ta kishin të mundur të çliroheshin nga ky makth, ti shpëtonin përndjekjes së amokut. Sot që ai nuk është, do ta kenë më të lehtë, për ta bërë çfarë është për ta, shumë më shumë se për të.
Ndoshta do të ishte më në interes të vetvetes dhe thirrjes së thellë të ndërgjegjes, të shikonim anën e ndritshem të këtij personazhi, atë kahje, prej së cilës të marrim çfarë na intereson, çfarë është e jona, e pse jo dhe të drejtën e mburrjes nacionale, sepse jo për “fajin” tonë, tre janë emrat që na lidhin me njohjen si shqiptarë në botë, Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare.
Sot në ditëlindjen e tij, dritëlind sekush në atë që Kadare mëkoi me diellin e fjalës dhe mendimit, narrativës dhe alegorisë.
Opinione Sot në datëlindjen e Ismail Kadare, e më të shndritshmes, ndër rrezet...



