Sonja Biserko: Jo Albin Kurti, ja kush është problemi – Nëse Serbia kalon ushtarakisht kufirin përballen me KFOR-in

“Albin Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi”. Kështu deklaroi Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit.

Ajo tha se Beogradi beson se Kurti po i provokon, dhe për mendimin e saj, ky nuk është provokim, por ai thjesht u përpoq të zbatojë disa gjëra për të cilat tashmë është rënë dakord.

“Kjo do të thotë se Beogradi i ka shpalosur qëllimet e tij deri në fund, pasi nuk ka fare qëllim të hyjë në atë dialog dhe ende qëndron në qëndrimin e ndarjes së Kosovës”, tha Biserko, duke shtuar se “kjo duket qartë nga të gjitha reagimet dhe sjelljet e fundit të Beogradit”.

Sipas saj, kjo vërehet nga ngritja e ushtrisë në një nivel më të lartë të gatishmërisë, e për më tepër, ky lloj tensioni krijohet gjatë gjithë kohës.

“Pasi Serbia është ushtarakisht superiore në raport me Kosovën”. Megjithatë, Biserko rikujtoi se nëse kalojnë kufirin, NATO-ja i pret atje, e jo Kurti.

Sipas Biserkos, problemi me Asociacionin është se nuk mund të jetë hapi i parë, sepse Kosova nuk ka garanci se do të ndodhë hapi i dytë, pra njohja e Kosovës nga Serbia.

“Nuk ka asnjë dëshmi se Beogradi dëshiron seriozisht të zbatojë dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, dhe ne kemi dëgjuar gjithashtu nga presidenti se ai nuk e njeh këtë dhe se ai nuk ka nënshkruar asgjë, edhe menjëherë pas Ohrit, ai i vuri në dyshim të gjitha ato detyrime”, thekson Biserko.

Ajo rikujton se serbët tashmë kishin dhjetë vende të garantuara në Parlament dhe ishin në institucione dhe se problemi kryesor është se Vuçiq i tërhoqi nga ato institucione dhe ua pengoi pjesëmarrjen në zgjedhje, kurse tani kërkojnë zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet do të ndodhin pashmangshmërisht së shpejti, pyetja e vetme është nëse Beogradi do të jetë mjaft racional për të lejuar serbët të marrin pjesë në ato zgjedhje”.

Biserko u shpreh se serbët në Kosovës janë pengjet më të mëdha, sepse politika e udhëhequr nga Beogradi është e drejtuar kundër interesave të tyre, kundër integrimit të tyre në atë shoqëri dhe më së shumti varet nga Beogradi se si do të sillen në të ardhmen.

“Sepse për fat të keq nuk e kanë lirinë e zgjedhjes”, tha ajo.

Biserko theksoi se shpreson që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë do të ndërhyjë më shumë për të parandaluar konfliktin, “duke pasur parasysh se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, është folur për hapjen e një fushbeteje të dytë në Ballkan dhe se kthimi i sigurisë në këto zona ishte i motivuar me atë mundësi dhe që ata të vazhdojnë të ndjekin me përkushtim ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë”.