Sondazhet, Sela: ASH-ja para BDI-së, nëse s’do ketë shantazhe dhe blerje votash (Video)

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH) Ziadin Sela, ka komentuar rezultatet e sondazhit të IRI-t që u publikua dje në rrjetet sociale, sipas të cilit, dallimi mes BDI-së dhe ASH-së është vetëm 1%. Sela tha se nuk ka asnjë dilemë që ASH-ja del para BDI-së, në momentin që qytetarët nuk do të shantazhohen.

“Nuk është se që nuk më ranë në sy sondazhet. Bëhet fjalë për një periudhë para 3-4 muajsh dhe s’e di përse duhet të krijohen këto vonesa, nëntor-dhjetor ishte sondazhi. Unë ndaj bindjen, pavarësisht nëse duhet cilësuar këtë apo atë sondazh, fatkeqësisht sondazhet krijojnë opinion nuk e masin atë. Kjo e ka përcjellë demokracinë në Maqedoninë e Veriut ndër vite. Aleanca për Shqiptarët në momentin që do të hiqen këto fenomenet devijuese që e karakterizojnë shoqërinë tonë, shantazhi i instritucioneve, uniformat e policisë në shërbim të partisë në pushtet, për të shantazhuar dhe për të blerë vota, nuk kemi asnjë dilemë që Aleanca për Shqiptarët është më tepër se sa partia që qeverisë”, tha Sela.

Nëse nesër mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE do të fitojë bindshëm, parashikon IRI në sondazhin e fundit të publikuar dje.

Sipas ketij sondazhi, VMRO-DPMNE ka mbështetjen e 20% të qytetarëve dhe LSDM 16%.
BDI ka 7% përkrahje, Aleanca për Shqiptarët 6 %, Lëvizja Besa ka 4% përkrahje aq sa ka edhe E majta, kurse Aletrnativa vetëm 1 %.

Sondazhi u krye në emër të Qendrës së Anketave IRI nga Brima, një firmë e hulumtimit të tregut (pjesë e grupit KANTAR dhe një anëtar maqedonas i Shoqatës Gallup International).

Të dhënat u mblodhën nga 27 nëntori deri më 23 dhjetor 2021.