Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Prof. Halil Snopçe, sot në Kuvend e vuri në fokus një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në paraqitjen e tij, Snopçe kërkoi përgjigje të qarta nga ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, për atë se ku ndodhet sot vendi në raport me rrugën evropiane.
Ai ngriti dilemën nëse Maqedonia e Veriut ishte më afër Bashkimit Evropian para ardhjes së kësaj qeverie në pushtet, apo është më afër sot.
Deputeti i ASH-së rikujtoi edhe vlerësimin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, i cili ka theksuar se gjatë vitit të fundit nuk ka pasur përparim real në procesin eurointegrues.
Sipas Snopçes, kjo është dëshmi se vendi nuk po ecën përpara me ritmin dhe seriozitetin që kërkon ky proces.
Një pjesë e rëndësishme e debatit ishte edhe qëndrimi i kryeministrit, i cili nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për sa kohë që ai është në detyrë. Snopçe theksoi se një qëndrim i tillë e bën të paqartë drejtimin strategjik të shtetit dhe e dobëson besueshmërinë e politikës së jashtme para partnerëve ndërkombëtarë.
Ai kërkoi sqarime edhe për marrëdhëniet me Bullgarinë, veçanërisht pas deklaratave të ashpra të presidentit bullgar ndaj Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, qeveria duhet të tregojë nëse ka strategji konkrete për tejkalimin e kësaj situate dhe për rikthimin e besimit në raportet bilaterale.
Në fund, deputeti Snopçe ngriti edhe çështjen e shtetësisë së dyfishtë te funksionarët publikë. Ai kërkoi përgjigje nëse ka informacione për deputetë që posedojnë pasaportë bullgare dhe nëse kërkesa për një shtetësi të vetme duhet të vlejë edhe për ministrat. Në këtë kontekst, ai përmendi rastin e ministres së Energjisë, e cila publikisht ka pranuar se posedon pasaportë bullgare.
Me këtë paraqitje, Prof. Halil Snopçe hapi një debat të rëndësishëm për përgjegjësinë institucionale, transparencën e funksionarëve publikë dhe sinqeritetin e qeverisë ndaj integrimit evropian.
Në një kohë kur qytetarët presin lëvizje konkrete drejt Bashkimit Evropian, pyetjet e ngritura nga deputeti i ASH-së kërkojnë përgjigje të qarta dhe jo deklarata të përgjithshme politike.



