Snopçe: E pavërtetë deklarata e Arbër Ademit për reformimin e teksteve shkollore (Video)

Deputeti i koalicionit opozitar, ASH-AAA Halil Snopçe, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili ditë më parë tha se, gjatë kohës që ka drejtuar ministrinë e Arsimit, ka përmirësuar 51 tekste shkollore me përmbajtje fyese kundër shqiptarëve. Sipas deputetit opozitar Halil Snopçe, bëhet fjalë për ndryshimin e disa faqeve dhe jo për përmirësimin e përmbajtjes së libriave, shkruan gazeta LAJM.

“Dëgjuam ish ministrin e Arsimit Arbër Ademi, i cili në një farë forme tentonte të mbulojë atë fiaskon apo dështimin e tyre me librat që përmbajnë materiale fyese kundër shqiptarëve, duke dhënë një deklaratë që paskan botuar 51 libra dhe për atë që se paskanë arritur të bëjnë. Nëse ne flasim me fjalorin e BDI-së, ato nuk i kanë për qejf këto deklarata të vegjetosura siç u shpreh në një rast, lideri i tyre Ali Ahmeti dhe eksponentët tjerë. Në rastin konkret ish ministri Arbër Ademi, tenton të japë deklarata të sherbetosura ose ëmbëltosura, por e vërteta, gjithmonë sipas fjalorit të BDI-së, na del e ufullosur. E kam fjalën për deklaratën e Arbër Ademit për 51 librat. Nëse kthehemi në fjalorin tonë pra të ASH-së dhe AAA-së, kjo është edhe një deklaratë në vazhdën e deklaratave skandaloze që bëhen nga eksponentët e BDI-së. Pra, këta s’kanë të ndaluar me këto deklarata jo të vërteta duke i’u hedhur hy shqiptarëve për gjëra që s’janë të vërteta aspak”, tha Snopçe.

Ditë më parë, deputeti aktual i BDI-së, Arbër Ademi, tha se gjatë kohës së tij si ministër i Arsimit, ka inicuar ndryshimin e Ligjit për tekstet shkollore, për t’i hapur rrugë përmërsimit të përmbajtjes skandaloze në tekstet shkollore.

“Gjatë kohës sa kam qenë ministër i Arsimit dhe Shkencës, një nga prioritetet e mia ka qenë që të mundësohet ligjërisht korrigjimi i teksteve shkollore dhe për herë të parë kemi ndryshuar Ligjin për tekstet shkollore. Prandaj që në tre muajt e parë të drejtimit të kësaj ministrie, 22 tekste shkollore janë korrigjuar, ndërsa gjithsej gjatë mandatit tim janë korrigjuar gjithsej 51 tekste shkollore”, tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.

Së fundmi, reagime të shumta në opinion nxiti përmbajtja skandaloze e librit “Gjeografia” i cili përmban fyerje dhe shumë të pavërteta për prejaardhjen e shqiptarëve./Gazeta LAJM