S’mund ta negociojmë sovranitetin tonë, thotë kryeministrja e Danimarkës

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen ka lëshuar të enjten një deklaratë, përmes së cilës ka thënë se vendi i saj nuk mund ta diskutojë sovranitetin.

Ajo e ka bërë këtë deklaratë një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se SHBA-ja duhet ta marrë Grenlandën por që ka përjashtuar përdorimin e forcës për këtë qëllim, dhe ka kërkuar negociata.

“Siguria në Arktik është një çështje për të gjithë aleancën e NATO-s. Prandaj, është mirë dhe e natyrshme që kjo të diskutohet edhe midis sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara. Mbretëria e Danimarkës ka punuar prej kohësh që NATO të rrisë angazhimin e saj në Arktik. Qeveria daneze ka koordinuar përpjekjet tona me qeverinë e Grenlandës Naalakkersuisut gjatë gjithë procesit. Ne kemi qenë në dialog të ngushtë me NATO-n dhe kam folur me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në mënyrë të vazhdueshme, duke përfshirë si para ashtu edhe pas takimit të tij me presidentin Trump në Davos. NATO është plotësisht në dijeni të qëndrimit të Mbretërisë së Danimarkës. Ne mund të negociojmë për gjithçka politike; siguri, investime, ekonomi.

Por ne nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë. Jam informuar se as ky nuk ka qenë rasti”, thuhet në deklaratën e saj.

Ajo ka shtuar se mbretëria e Danimarkës dëshiron të vazhdojë të angazhohet në një dialog konstruktiv me aleatët se si mund të forcohet siguria në Arktik, përfshirë Kupolën e Artë të SHBA-së, me kusht që kjo të bëhet duke respektuar integritetin territorial të shtetit nordik.