“Slobodna Bosna” shkruan për padrejtësinë që Bosnja ua bën kosovarëve

Edhe pse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim një vit më parë për t’i hequr në mënyrë të njëanshme vizat për hyrje në Kosovë për shtetasit e Bosnjës dhe madje për t’i lejuar ata të hyjnë vetëm me letërnjoftim, problemet për qytetarët e Kosovës kur bëhet fjalë për hyrjen në Bosnjë-Hercegovinë vazhdojnë të jenë të pranishme, shkruan “Slobodna Bosna”. 

Qytetarët e Kosovës jo vetëm që nuk mund të hyjnë në Bosnjë-Hercegovinë me letërnjoftim, por atyre u duhet të shkojnë në vendet fqinje – Mal të Zi, Maqedoni të Veriut apo Serbi – për të marrë viza për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë.

“Personat me dokumente udhëtimi të shënuara Republika e Kosovës mund të hyjnë në Bosnjë dhe Hercegovinë vetëm me një vizë të Bosnjë-Hercegovinës të marrë më parë. Ajo nuk vendoset në dokumentin e udhëtimit, por lëshohet në një formular të veçantë dhe sipas një procedure të veçantë”, ka deklaruar Policia Kufitare e Bosnjë-Hercegovinës.

Kompetencat për përpunimin e kërkesave për lëshimin e vizave për të hyrë në Bosnjë-Hercegovinë për shtetasit e Kosovës u janë caktuar misioneve diplomatike dhe konsullore të Bosnjës në Shkup, Podrgoricë e Beograd.

Shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim  në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

I vetmi vend në rajon që nuk ka lejuar udhëtim të lirë për qytetarët e Kosovës është Bosnjë-Hercegovina.

Po ashtu qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, në zonën Shengen, pa viza që nga janari i vitit 2024.