Sllupçani një jetë pa ujë të pijshëm! Puset po shteren, Kryetari premton edhe një herë

Ky është fshati Sllupçan, Komuna e Likovës.

Këta banorë kanë një hall të vjetër.

Nuk kanë ujë për pije.

Banorët thonë se është habi kjo që ka ndodhur meqenëse fshati i tyre pozicionohet vetëm pak kilometra larg burimit që furnizon qytetin e Kumanovës me ujë.

“Problem me ujin prej kur është rritur fshati prej në 200 shtëpi kurse tani është bërë 1000 shtëpi janë çelë bunarë shumë. Kanalizim jo ky lumë nuk ka qenë kështu. Uji ka qenë i ndotur edhe terreni nuk ka qenë i pastër”, tha Emin Asani – banor i Sllupçanit.

Destan Abazi ujë për pije merr nga bunari.

Bunari i parë thotë shteroi, e kjo e obligoi që të hapë një bunar të ri.

TV21: Prej sa vjetësh është shterë ai bunari parë?

Destan Abazi: “Po ai është shterë prej 5 vjetësh”.

TV21: Edhe tani e hape këtë bunarin tjetër këtu?

Destan Abazi: “Po, ky është qe 1 vit, patjetër duhej nuk kishim çfarë të bëjmë pa ujë.

Ujë si mos të kesh në shtëpi asgjë nuk ke”.

Kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi tha se ka bërë shumë punë për banorët e Sllipçanit ndërsa edhe mjetet për ndërtimin e ujësjellësit janë siguruar.

“Kryesorja është që mjetet financiare janë siguruar procedura e prokurimit publik ka përfunduar nga Ministria e ambientit jetësor. Punët ndërtimore do të fillojnë brenda një muaji”, deklaroi Erkan Arifi – kryetar i Komunës së Likovës.

Deklaratë të ngjashme kryetari i komunës pat dhënë edhe gjatë kandidimit për kryetar të komunës në vitin 2017.

“Ujësjellësi prej Gllazhnje deri te filtër stacioni Orizare, Sllupçan ka arritur mjetet, 500 mijë euro janë të siguruara dhe për stacionin 1.3 milion euro”, shtoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Çdo vit në këtë fshat vijnë ministra e deputetë bashkë me funksionarë të ndryshëm ku bëjnë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të luftës së vitit 2001, e që pas luftës ky fshat ka vetëm një kërkesë… ujë./Tv21