Sllovakia rihap kufijtë edhe për 16 vende të tjera

Sllovakia do të rihapë kufijtë e saj më 10 qershor edhe për 16 vende të tjera të konsideruara me rrezik të ulët për importimin e rasteve të infektimit me koronavirus, njoftoi sot kryeministri Igor Matoviç.

Deri më tani kufijtë qenë hapur vetëm për udhëtarët nga tre vendet fqinje: Republika Çeke, Austria dhe Hungaria.

Ky vendim do të thotë se kufiri sllovak mbetet ende i mbyllur vetëm për një pjesë të vogël të vendeve europiane, si Franca, Italia, Suedia, si edhe Polonia dhe Ukraina fqinje.

Një gjendje e jashtëzakonshme 90-ditore, e vendosur në mars, do të përfundojë më 14 qershor, përveçse nëse ka ringjallje të rasteve me COVID-19.

Sipas shifrave zyrtare, deri tani 28 persona kanë vdekur në Sllovaki nga COVID-19.