Skuadrat zjarrfikëse në Australi 90 për qind me vullnetarë

Australia prej muajsh po vuan pasojat e një sezoni zjarresh që deri tani ka djegur mbi 4 milionë hektarë tokë, qindra banesa dhe ka lënë pas 9 viktima. Mijëra zjarrfikës vullnetarë po sakrifikojnë jetën dhe po konsiderohen heronj të vërtetë të vendit.

Që prej shtatorit, rreth 3 mijë zjarrfikës vijojnë përditë betejën me zjarret në shtetin juglindor të Nju-Sauth-Uellsit në Australi.

90 për qind e tyre janë vullnetarë pa pagesë dhe pjesë e një armate shtetërore prej 70 mijë zjarrfikësish, e cila u ofron trajnim të vazhdueshëm.

Endrju Hein, njëri prej tyre, largohet çdo ditë nga puna e tij e rregullt për t’u ardhur në ndihmë banesave dhe bashkëqytetarëve që rrezikohen nga flakët deri 70 metra të lartë dhe që deri tani kanë shkrumbuar mbi 4 mln hektarë tokë.

“Kam dy fëmijë dy dhe katërvjeçarë, dhe në këto kushte katastrofike nuk duhet nxituar kurrsesi. Udhëzoj banorët të bëjnë gati makinën, të marrin albumet me foto dhe dokumentet më kritike dhe të nisen menjëherë. Prioritet është shpëtimi i jetëve,” deklaron zëvendëskapiteni i skuadrës zjarrfikëse.

Nëntë persona kanë mbetur viktima nga zjarret e muajve të fundit, duke përfshirë edhe dy zjarrfikës të aksidentuar javën e kaluar.

Në këtë prag Krishtlindjesh, komuniteti i Nju-Sauth-Uellsit shprehu mirënjohjen duke u ofruar dhurata njerëzve që humbën të dashurit dhe zjarrfikësit vullnetarë që po sakrifikojnë jetën e tyre.

Disa vatra zjarri ende po djegin hektarë toke jashtë kontrollit përqark qytetit më të madh të vendit, Sidneit.

Kryeministri Skot Morison e vështroi të martën situatën nga ajri, duke premtuar vazhdimin e aksionit dhe pushime të paguara për luftëtarët vullnetarë të zjarreve.