Kuvendi pritet ta ratifikojë Marrëveshjen për kufitarin Llojan – Miratoc

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pas mesnate nuk kishte kuorum për të ratifikuar Marrëveshjen me Serbinë për hapjen e pikës kufitare Llojan – Miratoc që lidh rajonin e Kumanovës me rajonin e Luginës së Preshevës.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi për shkak të mungesës së deputetëve vendosi ndërprerjen e seancës parlamentare dhe vazhdimin e saj gjatë ditës së nesërme nga ora 11.00, ku si pikë e rendit të ditës ndër të parat është ratifikimi i marrëveshjes për këtë pikë të re kufitare. Vendimi i njejtë pritet të merret edhe nga Kuvendi i Serbisë gjatë seancave të këtij fundviti, me qëllim që të fillojnë punimet e shpejta për funksionalizimin e kësaj pikë kufitare, nënshkrimi i Protokollit ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme të dy shteteve, ku do të përcaktohen rregullat për hapjen e pjesës së parë, përkatësisht pjesës për kalim lokal, të caktohet vendi ku do të vendoset zyra që do të përdoret prej dy shteteve. Në momentin që do të furnizohet me energji elektrike, me linjë telefonike dhe të gjitha nevojat tjera, do të fillojë faza e parë e realizimit.

“Shpresoj që të bëhet në pjesën e parë të vitit 2020. Ndërsa faza e dytë është më e komplikuar”, deklaroi Luftim Spahiu nga Komisioni i MPJ-së për hapje të pikave kufitare.