Skandali me njohjen nga Xhamajka, flet Vjosa Osmani

Para mediave, Osmani është treguar më e kujdesshme, teksa ka thënë se është duke pritur një vlerësim zyrtar të asaj që mund të ketë ndodhur.
“Ne jemi duke pritur një vlerësim zyrtar nga MPJ lidhur me atë që ka ndodhur mbrëmë. Natyrisht se si Kuvend i Kosovës jemi bazuar në informatën zyrtare dhe tani për tani besoj që duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm në deklaratat tona deri në momentin e sqarimit përfundimtar”, tha ajo.

Ajo la të kuptohet se mund të ketë pasur edhe ndërhyrje të shteteve të tjera.

Si një person që është marrë një kohë të gjatë me çështjen e njohjeve dhe në të kaluarën, mund të ju siguroj se përderisa vjen informata në ndërkohë kemi ndërhyrje të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës, situata ndryshon, por nuk dua të jap ndonjë deklaratë pa marrë konfirmim zyrtar, atëherë natyrisht që do të deklarohem”, është shprehur Osmani.

Ndërkohë në lidhje me çështjen nuk ka folur ende ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.